Lidhje

Dhuna e karteleve të drogës në Meksikë shqetëson SHBA


Shtimi i dhunës që lidhet me narkotikët konsiderohet si “kërcënim për sigurinë kombëtare” të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që sulmet dhe vrasjet lidhur me drogën vazhdojnë të rriten në Meksikë. Zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se dhuna e përgjakshme do të shtrihet edhe në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që autoritetet meksikane përpiqen të kufizojnë pushtetin e karteleve të drogës.

Autokolona të trupave meksikane mbërrijnë në qytetin kufitar, Siudad Huarez.

Ushtarët janë mobilizuar për t’i dhënë fund dhunës së karteleve të drogës që ka lënë të vrarë qindra njerëz në qytet.

Megjithatë, pushteti i karteleve të drogës është shtuar ndjeshëm në gjithë Meksikën, duke shtuar njëhohësisht edhe frikën për stabilitetin e vendit në të ardhmen.

Megjithëse pak njerëz presin që stabiliteti politik i Meksikës të kërcënohet, eksperti i çështjeve të Amerikës Latine, Peter DeShazo, thotë se vendi ka përballë një problem serioz.

"Ky është një problem serioz për forcat e rendit sepse niveli i dhunës është shumë i lartë. Është i pashembullt dhe burimet e karteleve të drogës janë të jashtzakonshme”.


Kartelet e drogës janë një sfidë e përditshme për autoritetet në qytetet kufitare meksikane, pasi kryejnë sulme me armë të sofistikuara, shumica të blera në Shtetet e Bashkuara dhe të nxjerra kontrabandë nga vendi.

Autoritetet meksikane thonë se u kanë kapur mijëra armë karteleve dhe presidenti i Meksikës, Felipe Kalderon, kërkon që Uashingtoni të bëjë diçka për këtë problem.

"Në dy vjetët e fundit ne kemi kapur më shumë se 25 mijë armë dhe mbi 90 përqind e tyre kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara”.

Disa ekspertë thonë se ajo që po ndodh aktualisht në Meksikë është e ngjashme me çfarë ndodhi në Kolumbi në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të, kur kartelet e fuqishme të drogës kryen një sërë vrasjesh që terrorizuan vendin.

Eventualisht Kolumbia i shtypi kartelet e mëdha, thotë Deshazo, por iu desh mjaft kohë.

"Më në fund, kolumbianët arritën me sukses t’i shkatërronin kartelet Medellin dhe Kali sepse mobilizuan burimet e tyre dhe u ndihmuan nga Shtetet e Bashkuara. Por kryesisht ishin vetë kolumbianët që e realizuan goditjen”.

Vitin e kaluar në Meksikë pati 6 mijë vrasje të lidhura me narkotikët, që ishte edhe viti më i përgjakshëm. Ndërsa kartelet vazhdojnë sulmet, në Shtetet e Bashkuara janë shtuar shqetësimet se dhuna mund t’i kalojë kufijtë e Meksikës.

Duke i përshkruar kartelet si kërcënim për sigurimin kombëtar, kohët e fundit Prokurori i Përgjithshëm, Erik Holder, tha se Uashingtoni ësht gati të ofrojë ndihmë. Zyrtarë të tjerë amerikanë, si Dejvid Xhonson i Zyrës së Narkotikëve dhe Rendit në Departamentin e Shtetit, kanë vlerësuar përpjekjet e Meksikës në luftën kundër karteleve të drogës.

"Për mendimin tim kjo është një sfidë që qeveria e Meksikës e ka marrë seriozisht, së cilës i është përgjegjur me masat e nevojshme për ta vënë nën kontroll”.

Por ashtu si edhe në Kolumbi, shkatërrimi i karteleve të drogës në Meksikë do të dojë vite të tëra.//ek

XS
SM
MD
LG