Lidhje

Në Gërdec, një vit pas shpërthimeve, jeta vazhdon


Fshati Gërdec dhe zona rreth Vorës është në rindërtim e sipër një vit pas shpërthimeve në një ndërtesë ushtarake ku çmontoheshin municione të kalibreve të ndryshme. Sefedin Rrapi, banor i zonës, duke ndihmuar muratorët që po i ngrejnë shtëpinë e re, thotë se ka një vit që jeta e tij është në ndërtim e sipër.

“Katin e dytë e bëra me dëmshpërblimet, katin e tretë po e bëj më paratë e mia. Jemi 4 vëllezër dhe normal që do të bëjmë shtëpi” - thotë ai.

Qendra e shpërthimit në repartin e Gërdecit është ende pa bimësi, e parigjeneruar nga natyra dhe njeriu, por banorët pranë çdo shtëpie të shkatërruar nga shpërthimet kanë ndërtuar shtëpi të reja akoma më të mëdha, të gjitha me shpërblimet qeveritare.

Rustem Zguri thotë se ajo që ndodhi nuk mund të kthehet pas. “Por jeta vazhdon,” thotë ai.

“Sot situata është kjo: fshati është bërë shumë më i bukur se ç’ka qenë, njerëzit kush e ka pasur shtëpinë një kat, sot e ka bërë tre kat. Kjo është e vërteta. Këtu është e vërteta. Siç thotë populli, fshati që duket nuk do kallauz” .

Leonardi ka dalë të përcjellë motrën që ka ardhur për vizitë një vit pas shpërthimit. Ai thotë se vlerësimi financiar për dëmet ishte i mjaftueshëm.

“Mirë ishte vlerësimi, derisa e bëmë edhe një herë atë që kishim, madje edhe më mirë. I bëmë edhe moderne. Kjo ishte një fatkeqësi e madhe, megjithatë me këto që kemi bërë jemi të kënaqur.” – thotë Leonardi.

Shumë nga banorët që takuam në Gërdec, Marqinet dhe në zonën përreth Vorës pohojnë se e vërteta e jetës së tyre është këtu pranë shtëpive të tyre, pa përfillur komentet politike që bëhen në kryeqytet.

“Këto janë ndërtime të reja që ne nuk do t’i kishim bërë kurrë nëse nuk do të na mbronte Zoti nga ato shpërthime, dhe nëse nuk do të na jepte paratë qeveria; 60 milionë lekë vetëm pagesë shtetërore” - thotë Adriatik Doca, duke ndihmuar punëtorët që ngrejnë shtëpinë katër kate për të dhe vëllezërit e tij. - Kisha shtëpinë e vitit 1985, ndërsa po e ngrejmë të re”. - thotë ai.

Kryeplaku i fshatit Gërdec, Tefik Gërdeci, thotë se pothuaj të gjithë banorët e fshatit janë kthyer dhe brenda një viti janë bërë me shtëpi të reja.

“Kemi ngritur me ndihmën e OSBE një kopsht modern, po ashtu shkolla është rindërtuar me standarde bashkëkohore. As në Tiranë nuk ka shkollë si kjo”.

Ndërsa nënkryetari i bashkisë së Vorës, Aqif Muça, tregon se krahas ndërtimeve të shumta pritet të fillojnë nga dita në ditë shtrimi i rrugës nga autostrada deri lart në Gërdec dhe ujësjellësi, ndërkohë që ka filluar sistemimi i ujërave të zeza për të gjithë zonën.

“Banorët janë optimistë, dhe qeveria i mbështeti me dëmshpërblime dhe mjete të tjera. Aktualisht në zonë janë ngritur mbi 600 ndërtime të reja, dhe vetë banorët vendosën që t’i ngrinin mbi rrënojat e shtëpive të shkatërruara.”

Ngjarjen e rëndë të një viti më parë pranë Gërdecit kalimtarëve tani ua kujtojnë vetëm disa tabela të vogla që rrethojnë zonën ku ndalohet kalimi dhe një memorial i thjeshtë me emrat e 26 viktimave që humbën jetën duke zbërthyer predhat e armëve të vjetra të diktaturës. //ii

XS
SM
MD
LG