Lidhje

Presidenti Obama komenton për kompaninë e sigurimeve AIG


Presidenti Barak Obama iu bashkua një kori zërash që po dënojnë ashpër planet e kompanisë gjigante të sigurimeve, American International Group për t’u paguar ekzekutivëve të saj shpërblime që arrijnë në 165 milion dollarë pavarësisht nga humbjet e saj të mëdha dhe megjithë ndihmat e qeverisë amerikane për ta shpëtuar nga falimentimi.

Presidenti Obama tha se firma AIG, e cila është ndihmuar nga qeveria me 170 miliard dollarë, hyri në vështirësi financiare për shkak të “papërgjegjshmërisë dhe pangopësisë”. Duke folur dje në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se është vështirë të justifikohet ky skandal para taksapaguesve, të cilët po e mbajnë gjallë këtë kompani. Ai deklaroi se do të përdorë çdo formë ligjore për të bllokuar pagimin e shpërblimeve.

Më pas, Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha se do të bëjë kërkesë ligjore që kompania të dorëzojë informacionin për shpërblimet e dhëna ekzekutivëve.

Zoti Cuomo i bëri komentet pasi firma AIG nuk e respektoi afatin për të dhënë hollësi rreth shpërblimeve. Një zëdhënëse e kompanisë tha se kompania është në kontakt me Prokurorin e Përgjithshëm dhe do t’i përgjigjet kërkesës së tij.

Presidenti Obama: Administrata do të ndihmojë bizneset e vogla

Presidenti tha dje në Shtëpinë e Bardhë se këto biznese janë motori i krijimit të vendeve të reja të punës.

Administrata e tij do të parashtrojë një plan për t'ua bërë më të lehtë këtyre bizneseve që të marrin huatë që atyre u nevojiten për të zgjeruar veprimtaritë dhe për të krijuar vende pune. Programi do të përdorë gjithashtu fonde nga paketa e stimulimit ekonomik për të nxitur bankat t’u japin hua bizneseve të vogla.

Ndërkohë, raporte të reja qeveritare tregojnë se në muajin shkurt, prodhimi në industrinë amerikane ra për të katërtin muaj me radhë. Të dhëna të tjera tregojnë se kapaciteti në përdorim i fabrikave amerikane arriti në nivelin më të ulët rekord.

Kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke thotë se recesioni i vendit do të përfundojë këtë vit nëse qeveria ka vullnetin politik t’i bëjë bankat të japin më shumë kredi.

Të dielën, zoti Bernanke dha një intervistë të pazakontë në programin “60 Minutes” të kanalit televiziv CBS. Tradicionalisht, krerët e Rezervës Federale i janë shmangur intervistave me shtypin.

Zoti Bernanke tha se ai parashikon që recesioni të përfundojë në fund të këtij viti dhe rimëkëmbja të fillojë në vitin 2010.

Por ai tha se nuk do të ketë rimëkëmbje nëse tregjet financiare nuk stabilizohen dhe nuk funksionojnë normalisht. Ai tha se rreziku më i madh i rimëkëmbjes është mungesa e vullnetit politik.

Zoti Bernanke tha se Shtetet e Bashkuara janë përtej pikës ku mund të binin në një tjetër depresion të madh ekonomik të ngjashëm me atë që ndodhi në vitet ’30. (ze)

XS
SM
MD
LG