Lidhje

Protesta të dhunshme në qytetin Lahore të Pakistanit

  • Beri Njuhaus

Në Lahore, njësitë pakistaneze të rendit u përleshën me protestuesit që kundërshtojnë qeverinë e vendit e cila ka një vit në pushtet. Këto protesta ishin ndër më të dhunshmet deri tani. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Beri Njuhaus njofton nga Islamabadi se fillimisht autoritetet u përpoqën të shpërndanin protestuesit dhe të arrestonin udhëheqësit kryesorë, por pasi mijëra protestues arritën në qendër të qytetit, njësitë e rendit u tërhoqën.

Njesitë pakistaneze të rendit patën sukses të konsiderueshëm në parandalimin e protestave masive nga aktivistët politikë dhe juristët në fillim të kësaj jave duke bllokuar rrugët dhe duke arrestuar mijëra udhëheqës të protestave.

Policia përdori taktika të ngjashme dje në Lahore duke rrethuar shtëpinë e udhëheqësit të opozitës, Navaz Sharif, dhe duke pozicionuar shumë pjestarë të forcave speciale në të gjithë qytetin.

Por provinca Punjab është një vend i banuar nga përkrahës të partisë së zotit Sharif dhe mijëra protestues dolën shumë shpejt për t’iu kundërvënë njësive të rendit. Turma sulmoi policinë me gurë dhe brohoriste parulla kundër presidentit Asif Zardari. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe shkopa gome.

Ndërsa përleshjet vazhdonin, zoti Navaz Sharif doli para gazetarëve jashtë shtëpisë së tij dhe kritikoi përpjekjet e qeverisë për të ndaluar protestat.

Ai tha se qeveria e ka kthyer vendin në një shtet policor dhe se kjo është e paligjshme.
Ndërsa autokolona e zotit Sharif udhëtonte në drejtim të qendrës së qytetit, mijëra njerëz mbushën njërën nga kalimet kryesore të qytetit, duke brohoritur, dhe duke mbajtur flamuj dhe parulla. Policia braktisi pjesën kryesore të vendit të marshimit, por oficerët vazhduan të vendosin barrikada në kufijtë e qytetit Lahore.

Zyrtarët e qeverisë e mbrojtën operacionin kundër protestave duke thënë se ata nuk i kundërshtojnë të drejtat demokratike. Por, ata thanë se ky vendim nevojitet për të ruajtur sigurinë. Qeveria thotë se vendi i duhur për të diskutuar mbi rikthimin në detyrë të gjykatësve është parlamenti i vendit, dhe jo rruga.

Ministri i sapo emëruar i Informacionit, Qamar Zaman Kaira, mbajti një konferencë shtypi në Islamabad të cilën shumica e rrjeteve private televizive të Pakistanit nuk e dhanë drejtpërdrejt.

Zoti Kaira thotë se ne nuk dëshirojmë të kemi një turmë e cila mund të bëhej e dhunshme dhe e cila do të mund të dilte jashtë kontrollit të udhëheqësve të protestës. Ai thotë se qeveria është e përkushtuar të mposhtë protestat në qendrën e Islamabadit, pasi ajo nuk mund të tolerojë që protestuesit të bllokojnë qendrën e qytetit për një kohë të pa caktuar për synimet e tyre politike.

Mijëra protestues në Lahore pritet që të udhëtojnë një distancë prej 260 km për në qendër të Islamabadit, për marshimin masiv të sotshëm.

Juristi i lartë, Aitzaz Ahsan, i cili u vendos nën arrest shtëpiak dhe më pas u lirua, tha se protestat janë kthyer në një lëvizje mbarëkombëtare për rivendosjen e sistemit juridik.

“Tani Marshi i Gjatë do të zgjatë për një kohë të pacaktuar. Çdo ditë do të ketë marshime drejt Islamabadit. Ditën që rrethimi të jetë hequr dhe ditën që kontenierët të jenë larguar, do të ketë mijëra, qindra e miliona njerëz.”

Mosmarrëveshjet politike kanë ngritur shqetësime se protestat mbi rivendosjen e gjykatësve të lartë do ta dobësojnë edhe më tej qeverinë e cila tashmë po përballet me rënien ekonomike dhe fuqizimin e kryengritjes së Talibanit.//ap

XS
SM
MD
LG