Lidhje

Kriza financiare dhe ndikimi i saj në vendet e BE-së


Kur udhëheqësit evropianë të takohen këtë javë në Bruksel, ku do të marrin vendime të rëndësishme për të zbutur efektet e krizës globale dhe do të përgatiten për diskutimet e 20shes, ata do të ndodhen para një sfide. Kriza ka nxjerrë në pah vështirësitë në marrëdhëniet mes vendeve të Bashkimit, të cilat kanë tipare të përbashkëta por edhe politika dhe identitete të ndryshme. Por me gjithë këto vështirësi, ekspertët thonë se situata e krijuar nuk i prek direkt aspiratat e vendeve që duan të anëtarësohen në organizatë.


Ideja e një Evrope të bashkuar ka pësuar një goditje të rëndë nga stresi i recesionit. Meqenëse ideja e bashkimit për Evropën është e lidhur ngushtë me politikat monetare ky stres është edhe më i dukshëm. Berry Vud, korrespondent i Zërit të Amerikës, mbulon zhvillimet ekonomike globale dhe amerikane.

“Sigurisht që Bashkimi Evropian është në një gjendje stresi siç nuk ka qenë prej shumë vjetësh dhe përsa i takon gjendjes ekonomike kjo është situata më e vështirë ndonjëherë”. - thotë ai

Tensioni mes anëtarëve të ndryshëm të organizatës, shfaqet në nivele të ndryshme. Së pari flitet për një ndarje në vende të Evropës Perëndimore dhe atyre të Evropës Lindore dhe Qendrore. Por Xhon Glen, drejtor i Politikës së Jashtme në Fondin Gjerman Marshall në Uashington mendon se problemi nuk duhet ekzagjeruar. “Unë mendoj se efekti i krizës financiare është shumë real, por është shumë i ndryshëm në pjesë të ndryshme të kontinentit dhe nëse e sheh thjesht si një ndarje Lindje-Perëndim, ngatërrohesh”.- thotë zoti Glen

Mosmarrëveshje të tjera janë ato mes vendeve që janë në favor të masave proteksioniste, si Franca dhe atyre që anojnë nga globalizmi, si Britania, apo mes vendeve që përdorin Euron dhe atyre që kanë monedhën vet.

Megjithatë zoti Glen e pranon se kriza vë në pikëpyetje themelet e idealeve të Evropës, ku një nga arritjet më të mëdha ka qenë krijimi i një tregu të përbashkët.

"Çështja e solidaritetit për anëtarët më të dobët të Bashkimit, ekonomia e të cilëve nuk është në një gjendje të mirë, po vihet në pikëpyetje”. - shton ai
Por nëse vihet në pikëpyetje solidariteti mes vendeve që janë pjesë e Bashkimit Evropian, a mund të thuhet që një situatë e tillë shkakton vështirësi për aspiratat e vendeve që duan të hyjnë në BE, si ato të Ballkanit?

Zoti Glen i përgjigjet kështu kësaj pyetje:

"Mendoj se nuk ka pasur shenja që Bashkimi Evropian do t’i ndryshojë kriteret e anëtarësimit, që do ta bëjë më të vështirë anëtarësimin. Negociatat për anëtarësim kanë një logjikë të tyren. Kur fillojnë, ato vazhdojnë me një proces autonom”.

Por Berri Vud, që ka mbuluar çështjet e Ballkanit për vite me radhë, mendon se çështja është më e komplikuar.

“Mosmarrëveshjet e bëjnë më të vështirë realizimin e negociatave të çdo lloji për zgjerimin e shpejtë të organizatës drejt Ballkanit”.

Daniel Gros është Drejtor i Qendrës për Studimin e Politikave Evropiane në Bruksel.

“Bashkimi Evropian në këto momente ka përparësi krejt të tjera. Zgjerimi nuk është më i rëndësishmi mes tyre”.- thotë zoti Gros

Në një intervistë nga Brukseli, ai shton se një nga faktorët që mund ta shtojnë hezitimin, është se zgjerimi para kohe ndonjëherë shkakton shumë probleme siç kanë treguar rastet e Bullgarisë dhe Rumanisë.

“Këto vende nuk funksionojnë normalisht përsa i takon administratës dhe sistemit gjyqësor dhe gjerësisht është krijuar ideja që nuk duhet të lejojmë që një gjë e tillë të përsëritet në Bashkimin Evropian, pra është e nënkuptuar që kriteret janë bërë më të rrepta”. - shton ai

Qendrimi i presidencës çeke është skeptik ndaj anëtarësimeve të reja në të ardhmen e afërt. Në fakt Shqipëria, është gjendur në mes të deklaratave të tilla. Qeveria ka vendosur ta bëjë kërkesën për anëtarësim brenda periudhës së kryesisë çeke, por zyrtarët e BE-së kanë bërë thirrje së fundmi që ata ta shtyjnë një gjë të tillë duke pasur parasysh situatën aktuale, por edhe zgjedhjet që do të mbahen në verë dhe që janë konsideruar si provë për Shqipërinë dhe aspiratat e saj evropiane. Megjithatë Berri Vudd është optimist.

“Unë mbështes optimistët, sidomos duke pasur parasysh përparimin e arritur në rajon, ku stabiliteti është ruajtur qoftë në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedonia, Serbia apo Shqipëri, pavarësisht nga vështirësitë”. - thotë ai//mm//

XS
SM
MD
LG