Lidhje

Maqedoni: Media dhe pasqyrimi i fushatës presidenciale

  • Isak Ramadani
  • Shkup

Këshilli i Radiodifuzionit në Maqedoni do të padisë një Televizion kombëtar maqedonas për shkak të shkeljes së ligjit mbi mbulimin e fushatës parazgjedhore. Ndërkohë u bënë vërejtje edhe disa radiove dhe televizioneve të tjera që të korrigjojnë mënyrën e njoftimin për fushatën. Fushata po zhvillohet e qetë dhe për këtë shprehin kënaqësi vetë partitë politike, kandidatët dhe komuniteti ndërkombëtar.

Këshilli i Radiodifuzionit në Maqedoni ka vendosur të ngrerë padi kundër një televizionti që transmeton në nivel kombëtar, për shkak të mbulimit jo të balancuar të fushatës së kandidatëve presidencialë dhe komunalë si dhe për qasjen subjektive për veprimtaritë e qeverisë së Maqedonisë. Bëhet fjalë për televizionin maqedonas Sitel. Po ashtu, këshilli ngre padi kundër një televizioni kabllor maqedonas për shkak të një reklame politike e cila nuk ka të përcaktuar porositësin.

Këshilli thekson mungesën e balancit të plotë tek disa televizione të tjera, ndër to programet në gjuhën shqipe të radios dhe televizionit shtetëror. Këto do të kalojnë vetëm me vërejtje dhe do t’u kërkohet që të korrigjojnë mënyrën e raportimit për kandidatët presidencialë dhe të zgjedhjeve vendore. Shkalla e anshmërisë është e vogël tek këto mediume, thonë zyrtarët e Këshillit të Radiodifuzionit, të cilët kanë vërejtur nga ana tjetër, një paanshmëri relative tek televizionet Alsat M dhe Kanal 5. Këshilli megjithatë shprehet i kënaqur në përgjithësi me mënyrën e mbulimit të fushatës nga mjetet elektronike të informimit:

Ndërkohë, OSBE-ja pret nga gjykatësit të cilët do të merren me ankesat e partive politike gjatë zgjedheve, që të jenë të paanshëm, politikisht neutral, të sjellin vendime të shpejta dhe të efektshme me qëllim që të mos krijohet mosbesimi tek gjyqësori dhe që të sigurohet një proces korrekt deri në fund.
Agjensitë maqedonase të hulumtimit publik kanë shpallur këto ditë sondazhe duke e nxjerrë partinë VMRO-DPMNE dhe kandidatin e saj për president Gjorgje Ivanov si favorit kryesor. Rreth dyfish më pak mbështetje sipas sondazheve vendase, ka Lubomir Fërçkovski i LSD dhe menjëherë pas tij Imer Selmani i Demokracisë së Re. Megjithatë, besueshmëria e agjensive maqedonase nuk është dhe aq e madhe, dhe faktorët politikë janë në pritje të sondazheve nga Agjensi të njohura në arenën ndërkombëtare.

Fushata po zhvillohet kryesisht e qetë, nuk janë njoftuar raste dhune dhe të gjithë faktorët e sidomos komuniteti ndërkombëtar pret një proces të qetë, të drejtë dhe demokratik në zgjedhjet presidenciale dhe vendore të 22 marsit. //mm//


XS
SM
MD
LG