Lidhje

Ekspertët e KE-së, në Shqipëri për çështjen e liberalizimit të vizave


Në Shqipëri ka mbërritur misioni i parë i ekspertëve të Komisionit Europian të cilët gjatë gjithë javës do të shqyrtojnë nga afër zbatimin nga ana e autoriteteve shqiptare të udhërrëfyesit për një regjim të liberalizuar vizash. Ky mision do të pasohet nga dy të tjerë po në nivel teknik, raportet e të cilëve do t’i shërbejnë Komisionit Europian për t’u shprehur në favor ose jo të qarkullimit të lirë të qytetarëve shqiptarë në Europë.

Në janar të vitit të shkuar, mes Shqipërisë dhe Komisionit Europian nisi zbatimi i një marrëveshjeje për lehtësimin e vizave, një akt i cili synonte të krijonte me shumë mundësi për qarkullimin e qytetarëve shqiptarë, veçanërisht për disa kategori të caktuara. Por kjo marrëveshje, edhe sipas një studimi të bërë nga Lëvizja Europiane në Shqipëri, nuk solli ndonjë efekt të ndjeshëm.

Një nismë tjetër e nxitur nga zëvendëspresidenti i atëhershëm i KE, njëkohësisht Komisioner për Çështjet e Drejtësisë dhe Sigurisë, Franco Frattini, i hapi rrugën një procesi më konkret. Në muajin mars, një vit më parë, zoti Frattini nënshkroi në Tiranë hapjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave. Marrëveshja u nënshkrua dhe me vendet e tjera të rajonit. Sipas zotit Frattini ishin të gjitha gjasat që ajo të mbyllej brenda një viti.

Në qershor, Shqipërisë iu dorëzua udhërrëfyesi i procesit të liberalizimit, 42 kërkesa që duhet të plotësonin autoritetet shqiptare. Kërkesat kishin të bënin me realizimin e disa reformave por më së shumti me përmbushjen e një numri çështjesh teknike, që nga dokumentet e identitetit dhe ato të udhëtimit e deri të kontrolli i kufijve, sistemet online, lidhjet në rrjet dhe mundësia e aksesit me rrjetet e Europolit, forcimi i kapaciteteve teknike e tekonologjike si dhe ngritja e strukturave të reja.

Shqipëria ka dorëzuar disa raporte në Bruksel për nivelin e realizimit të detyrave. Burime nga Brukseli i kanë shpjeguar Zërit të Amerikës se raporti i fundvitit nuk kishte qenë në nivelin që pritej, veçanërisht krahasuar me atë të fqinjëve si Maqedonia, e cila kishte përpiluar një dosje tejet voluminoze prej afër 1000 faqesh.

Megjthatë, gjithçka do të konstatohet në vend nga misionet e ekspertëve të Komisionit Europian.

Pak javë më parë, Kryeministri Sali Berisha kërkoi angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve shqiptare për këtë qëllim:

"Çdo ministri dhe agjenci të shqyrtojë me hollësi të gjitha detyrimet e veta, pasi misionet që vijnë për të parë gjendjen në vend ... do të hartojnë një raport thuajse përcaktues sepse në maj mblidhet Komisioni për të marrë vendimet e rëndësishme", u shpreh ai.

Barrën kryesore në këtë proces, siç e konfirmoi edhe Kryeministri Berisha do ta ketë Ministria e Brendshme.

"Rëndësi kryesore kanë ministritë e Punëve të Brendshme. Prandaj zoti Ministër është e rëndësishme të intensifikohen takimet me të gjithë homologët e vendeve anëtare dhe agjencitë e zbatimit të ligjeve për të prezantuar arritjet e përpjekjet tona në luftën kundër kriminalitetit, në luftën kundër korrupsionit, në kontrollin e integruar të kufijve," tha zoti Berisha.

Misioni i parë nis efektivisht që sot nga puna. Ai do të qendrojë në Shqipëri gjithë javën dhe më pas do të ketë të paktën edhe dy misione të tjera, të cilat së bashku do të mbulojnë të gjithë gamën e detyrimeve të vendit.

Një nga çështjet thelbësore të procesit, ajo që lidhet me dokumentet e identifikimit dhe udhëtimit, Shqipëria duket se e ka kapërcyer, duke qenë se tashmë ajo ka një regjistër kombëtar elektronik të gjendjes civile, po prodhon letërnjoftimet e reja si edhe pasaportat biometrike.

Mbetet të shihet se si do të vlerësohen aspektet e tjera. Kjo është pjesa që është në dorën e institucioneve shqiptare, por vetëm ajo nuk mjafton. Ky proces ka dhe një aspekt të rëndësishëm politik, pasi ai do të kërkojë mbështetjen e njëzëshme të të gjithë vendeve anëtare.

Kriza ekonomike dhe problemet e brendshme të vetë Bashkimit Europian apo edhe skepticizmi i ndonjërit prej shteteve anëtare ndaj Shqipërisë, janë faktorë që kanë ndikuar në mbajtjen pezull për momentin të hapave të reja në marrëdhëniet me Brukselin, i cili ka kërkuar që Shqipëria të mos nxitojë me aplikimin si vend kandidat.

Nuk është e qartë nëse kjo situatë do të ndikojë edhe në këtë proces i cili për shqiptarët shihet thuajse i njëjtë me hyrjen e vendit në Bashkimin Europian. //ii

XS
SM
MD
LG