Lidhje

Ish senatorët, thirrje për marrëdhënie më të ngushta SHBA-Rusi


Një Komision dypartiak i përbërë nga ish senatorë amerikanë dhe ekspertë të tjerë të njohur të politikës së jashtme po i bën thirrje administratës Obama t’i zgjatë dorën Rusisë në mënyrë që të përmirësojë marrëdhëniet e tendosura mes dy vendeve. Komisioni i përshkruan lidhjet dypalëshe si “thellësisht shqetësuese” dhe i bën thirrje dy vendeve për të punuar së bashku në mënyrë që të përballojnë sfidat globale, siç është edhe kërcenimi i mundshëm bërthamor nga Irani. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Sindy Sane, njofton:

Komisioni i nivelit të lartë, i organizuar nga Qendra Nikson në Uashington dhe Qendra Belfer e Universitetit Harvard, drejtohet nga dy ish senatorët amerikanë, Geri Hart dhe Chak Hejgel.

Të dy ish senatorët ishin pjesë e delegacionit që shkoi në Rusi javën e kaluar për t’u takuar me Presidentin rus Dmitri Medvedev.

Ish sentarorët nënvizuan se takimi i tyre në Kremlin ishte shumë pozitiv dhe i frytshëm. Por ish senatori demokrat, Geri Hart tha se pritja e disa deputetëve rusë dhe atmosfera që ai vërejti në rrugët e Moskës ishte shumë më e ftohtë.

“Personalisht, unë vura re më tepër ndjenja anti-amerikane gjatë kësaj vizite se sa asnjë herë tjetër gjatë Luftës së Ftohtë dhe kjo ishte e frikshme.”

Komisioni konkludoi se dy vendet, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, janë fajtorë për keqësimin e marrëdhënieve diplomatike gjatë viteve të fundit. Lufta e Rusisë kundër Gjeorgjisë dhe planet e Shteteve të Bashkuara për të instaluar sistemin e mbrojtjes kundër raketave në Europën Lindore kanë qenë dy nga arsyet kryesore të këtyre tensioneve.

Ish senatori Hart tha se do të duhet kohë për të tejkaluar periudhën e gjatë kur theksi vihej te dallimet dhe jo te synimet e përbashkëta.

“Nuk do të ketë ndonjë takim dramatik mes krerëve të shteteve në Sheshin e Kuq me shtrëngime dhe përqafime, me shkëmbim flamujsh, por çdo gjë do të bëhet mirë. Për të krijuar armiqësinë duhet kohë por edhe për ta tejkaluar atë duhet kohë. Unë jam i bindur se ajo do të tejkalohet.”

Por zoti Hart tha se ai beson se opinioni publik në Rusi do të ndryshojë në favor të Shteteve të Bashkuara kur presidenti Medvedev të takohet me presidentin Barak Obama muajin e ardhshëm në Londër.

Pas takimit të javës së kaluar me ish senatorët amerikanë, zoti Medvedev tha se ekzistojnë shumë mundësi për hapjen e një ‘faqeje të re’ në marrëdhëniet ruso-amerikane.

Ish senatori republikan, Chak Hejgel tha se është në interestin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që të punojnë me Rusinë për një numër çështjesh të politikës së jashtme, me Iranin në krye të listës.

“Irani u përmend në të gjitha çështjet - serioziteti i kërcënimit bërthamor iranian ishte shumë i qartë për rusët. Pra, kjo është një çështje shumë e rëndësishme, e cila besoj se kërkon nga të dy vendet, atë që ne e nenvizuam në rekomandimet e para, që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të punojnë ngushtë së bashku.”

Presidenti Obama tha kohët e fundit se zbutja e kërcënimit bërthamor që vjen nga Irani do të zvogëlonte nevojën për të pasur një sistem të mbrojtjes kundër raketave në Europën Lindore.

Raporti për marrëdhëniet ruso-amerikane arrin në përfundimin se në se Moska dhe Uashingtoni arrijnë të ndërtojnë lidhje më të mira, Amerika do të kishte përfitime të shumta në politikën e jashtme, duke filluar nga Irani e deri tek Afganistani dhe më gjerë.//ap.

XS
SM
MD
LG