Lidhje

Decentralizimi përparësi e punës së institucioneve të Kosovës


Autoritetet në Kosovë u bënë thirrje qytetarëve të vendit, në veçanti atyre të komuniteteve, që të bashkëpunojnë në zbatimin e procesit të decentralizimit, ndërsa kundërshtuan çdo mundësi të bashkëpunimit me strukturat paralele serbe për realizimin e këtij procesi.

Në një takim për decentralizimin, ku morën pjesë udhëheqës vendas e ndërkombëtarë, u tha se ky proces është një nga përparësitë e punës së tyre. Megjithatë, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Peter Faith, tërhoqi vërejtjen se për të zbatuar këtë proces, nuk do të bashkëpunohet me strukturat paralele serbe në Kosovë, duke e veçuar Mitrovicën si zonën më të ndjeshme për zbatimin e këtij procesi.

"Ne do të kemi parasysh situatën e veçantë të Mitrovicës siç parasheh edhe plani i Ahtisaarit. Koha për ta bërë këtë është çështje për të cilën do të vazhdojmë këshillimet me qeverinë, dhe me ministrinë të cilët janë shumë të bindur për të përfshirë edhe Mitrovicën në procesin e decentralizimit. Unë do të shoh se di do të rrjedhin ngjarjet në muajt në vazhdim. Mitrovica, siç e dini, ka një situatë komplekse por ne ngulim këmbë në zbatimin e planit gjithëpërfshirës…"

Sipas planit të Presidentit Martti Ahtisaari për decentralizim, Mitrovica mbetet qytet me 2 komuna dhe me një bord të përbashkët, ndërkaq përmes këtij procesi, 33 komunave sa ka aktualisht në Kosovë u shtohen edhe 5 komuna të reja me shumicë serbe. Kryeministri Hashim Thaçi, u bëri tirrje qytetarëve, në veçanti atyre të komuniteteve, të jenë e këtij procesi…

"Decentralizimi nënkupton të drejtat e qytetarëve që të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje për çështje praktike, si ato të kujdesit shëndetësor, arsimimit, shërbimet komunale, ndërtimin e infrastrukturës etj. Por që kjo të jetë e mundur, anëtarët e komuniteteve duhet të marrin pjesë dhe të punojnë që edhe ata t'i marrin përgjegjësitë e tyre, të dëgjohet zëri I tyre dhe të bëhen pjesë e implementimit të këtij projekti".

Decentralizimi është cilësuar si një nga proceset më të vështira që dalin nga propozimi i presidentit Ahtisaari, mbi bazën e të cilit Kosova e ka shpallur pavarësinë. Ai vazhdon të kritikohet nga qytetarët shqiptarë ndërsa të refuzohet nga ata serbë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të bashkëpunojnë për fuqizimin e pushtetit lokal, ndërsa besojnë se me themelimin e ekipeve përgatitore për krijimin e komunave të reja, do ta shtyjnë përpara këtë proces.

XS
SM
MD
LG