Lidhje

Debate për kthimin dhe kompensimin e pronave



Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave sapo ka mbyllur procesin e kompensimeve për vitin 2008, ndërsa po studion rast pas rasti mijëra çështje pronësore. Drejtuesi i ri i A.K.K.P.-së, Elvis Cefa, thotë se menjëherë kanë filluar procedurat me ministrinë e drejtësisë edhe për kompensimet e vitit 2009.

“Sapo kemi përmbyllur procesin e kompensimit financiar të vitit 2008 për 163 ish-pronarë fitues të këtij fondi. A.K.K.P. mbylli të martën çdo lloj veprimi financiar me bankën dhe duke filluar nga e mërkura besoj se banka do të kalojë shumat përkatëse në llogaritë e personave fitues. Ndërkohë jemi në një bashkëpunim të ngushtë me ministrinë e drejtësisë, sepse jemi në prag të hartimit të vendimit përkatës të qeverisë për shpërndarjen edhe të fondit të kompensimeve financiare të vitit 2009, i cili është në shumën 600 milionë lekë” - thotë zoti Cefa.

Sipas tij, një reformë e vecantë në këtë fushë edhe bashkëpunimi financiar me ALUIZNI-n, agjencinë e legalizimeve të zonave informale, sepse të ardhurat që do të mbledhë ajo agjenci do të kalojnë në llogaritë e A.K.K.P. për të kryer kompensimin e pronarëve. Por përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, thotë se kompensimet financiare të pronarëve nuk janë derdhur ende as për 2008 dhe as për 2009.

“Zyrtarisht nuk ka ndryshuar asgjë për mirë, përveçse është përkeqësuar më tej ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave me ligje dhe amendime të ndryshme qartazi anti-pronar. Sa u takon kompensimeve, A.K.K.P, si institucioni që është ngarkuar për zbatimin e ligjit, në vitin 2008 nuk dha asnjë qindarkë. Nga zyrtarët u tha se ky fond kaloi në vitin 2009. Ne thamë se u dogj fondi, ato thonë jo. Faktikisht edhe sot e kësaj dite nuk është ndarë ende ky fond dhe nuk ka vajtur në duar të subjekteve të shpronësuara” - tha zoti Toro.

Në A.K.K.P., drejtuesi i saj Elvis Cefa kundërshton skepticizmin e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Ai thotë se janë marrë vendime për mijëra çështje pronësore, kthime apo kompensime, megjithë vonesat dhe mungesën e dokumentave.

“Për vetë kushtet ku ndodhet Shqipëria, për vetë ndryshimin disa herë të ligjit të pronave, sigurisht që kjo punë ka vështirësi dhe ndikojnë në kohën e kryerjes së procesit në dobi të ish-pronarëve. Nuk jam dakord me pretendimet e shoqatës “Pronësi me drejtësi” se nuk është bërë punë. Nga A.K.K.P. sidomos në periudhën 2005 e deri sot është bërë një punë kolosale; janë dhënë më mijëra vendime mbi pronat. Megjithatë, duke qenë një proces i komplikuar, duke qenë se në shumë raste ish-pronarët nuk arrijnë që të grumbullojnë në kohë provat shkresore që të vërtetojnë pronësinë e tyre të vjetër sipas kushteve të ligjit, kjo ndikon direkt në vonesën e procesit.” - thotë zoti Cefa.

Por zoti Toro i shtyn më tej kritikat e tij për politikanët, të cilët asnjëherë, sipas tij, nuk e kanë trajtuar seriozisht çështjen e pronave, duke ndryshuar herë pas here cdo nen të ligjit.

“Sa i takon një thashethemnaje të madhe që po hapet këto ditë sikur gjoja po bëhet nami për të gjetur pasuritë fizike; 4 mijë hektarë në bregdet, 130 mijë hektarë këtej apo andej, ato nuk janë gjë tjetër veçse një demagogji e radhës. Janë hapur sirtaret e mykur me studimet e Partisë Socialiste nga viti 2004, të cilat thonin se janë 136 mijë hektarë të gatshëm si fond i kompensimit të pronarëve. Tani prapë na del që ministria e bujqësisë thotë se janë 130 mijë hektarë, në zonat bregdetare 4 mijë hektarë; pra, është e njëjta shifër dhe të njëjtat studime. Me këtë temë, politikanët janë përfshirë në një lojë dhe në një mashtrim shumë të madh” - thotë zoti Toro.

Kthimi dhe kompensimi i pronave është një nga çështjet më të debatuara në qarqet politike vendase gjatë gjithë tranzicionit, ashtu siç është edhe ndër kërkesat kryesore të insitucioneve ndërkombëtare ndaj shtetit shqiptar. Vonesat dhe pengesat e këtij procesi kanë sjellë një seri shkeljesh ligjore, ekonomike, si edhe shumë grabitje pronash, të cilat shiten dhe rishiten më pas nga një spekullant tek tjetri.

XS
SM
MD
LG