Lidhje

Kongresi amerikan do të hartojë ligj mbi shpërblimet e korporatave


Ligjvënësit amerikanë shprehën zemërim mbi miliona dollarët në shpërblime që dha kompania e sigurimeve, American International Group, AIG. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Den Robinson njofton se dëshmia e drejtorit ekzekutiv të kësja kompanie u zhvillua në një moment, kur Kongresi po harton legjislacionin, për të rimarrë paratë qeveritare që u shpërndanë nga kompania.

Ligjvënësit demokratë njoftuan se Dhoma e Përfaqësuesve do të shqyrtojë një masë për të vendosur një taksë deri në 90% për shpërblimet e dhëna nga kompania AIG me fondet qeveritare. Kreu i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve mbi Etikat e Punës, Çarli Rejnxhëll, thotë se ky hap është një përpjekje për të vënë në vend dëmet e shkaktuara nga bota e financës.

"E dimë me siguri se kjo nuk do të ndodhë më. Amerikanët nuk duan të ndodhë diçka e tillë, ndaj dhe ne do të veprojmë”.

Drejtori Ekzekutiv, Eduard Lili u përball me ligjvënësit e zemëruar, të cilët kërkuan të dinin pse kompania lejoi dhënien e shpërblimeve prej 165 milionë dollarësh, në bazë të kontratave që ata kishin nënshkruar para se të merrnin ndihmë nga qeveria.

Kompania AIG mori rreth 170 miliardë dollarë fonde qeveritare nga Programi i Shpëtimit i miratuar fundvitin e kaluar nga Kongresi. Drejtori ekzekutiv, Lidi, i cili mori këtë post gjashtë muaj më parë për të nxjerrë nga kriza kompaninë, thotë se ai e kupton zemërimin e amerikanëve, por siç tha ai, kontratat ligjore duhet të respektohen.

"Dhënia e këtyre shpërblimeve nuk ishte e lehtë. Por ne erdhëm në përfundimin se rreziqet e kompanisë ishin shumë të larta. U kemi kërkuar punonjësve në njësinë e prodhimeve financiare që kanë marrë 100 mijë dollarë ose më shumë shpërblime të kthejnë gjysmën e parave”.

Kryetari i Komisionit të Shërbimeve Financiare në Dhomën e Përfaqësuesve, Barni Frenk, thotë se qeveria amerikane duhet të përdorë fuqinë e vet, pasi ajo është tanimë pronare e 80% të aksioneve të kompanisë AIG.

"Ka ardhur koha që qeveria federale të ushtrojë më fuqishëm të drejtën e pronësisë”.

Presidenti Barak Obama tha dje se amerikanët kanë të drejtë të jenë të zemëruar me situatën e krijuar dhe shtoi se strukturat e reja rregullatore nevojiten për të parandaluar që problemet e sistemit financiar të rishfaqen edhe një herë, duke shkaktuar një tjetër krizë ekonomike.

"Kam besim se mund të arrijmë ekuilibrin e duhur, duke i lejuar sistemit financiar të stabilizohet, por edhe duke lejuar që njerëzit të prodhojnë risi në tregjet financiare pa rrezikuar kursimet e njerëzve, vendet e tyre të punës, apo shtëpitë e tyre”.

Por republikanët thonë se administrata e presidentit Obama nuk ia ka dalë të ushtrojë kontrollin e duhur në muajt e para në detyrë mbi fondet e lëvruara nga qeveria për të nxjerrë ekonominë nga kriza. //ek

XS
SM
MD
LG