Lidhje

Kosovë: Shtyhet shqyrtimi i ngjarjeve të 10 shkurtit 2007


Mospajtimet ndërmjet UNMIK-ut dhe familjarëve të dy protestuesve të vrarë më 10 shkurt të viti 2007, shtynë seancën e parë dëgjimore për rrethanat kur ka ndodhur kjo ngjarje. Fillimi u shty për 4 qershor, meqë familjarët nuk pranuan të marrin pjesë në një seancë të mbyllur, një vendim ky që nga UNMIK- ishte arsyetuar me shkaqe sigurie.

Më 10 shkurt të vitit 2007, dy persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, kur forcat e policisë ndërhynë për të shpërndarë protestën e lëvizjes Vetëvendosje, e cila kundërshtonte negociatat që atëbotë zhvilloheshin për statusin e Kosovës.

Hetimet e udhëhequra nga një prokuror amerikan, nxorën në pah se Arben Xheladini dhe Mon Balaj, vdiqën nga pasojat e plagëve të marra nga plumbat e kauçukut, që ishin përdorur nga njësia policore rumune që vepronte në kuadër të UNMIK-ut. Por, asnjëherë nuk është përcaktuar përgjegjësia individuale.

Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut është themeluar për t’i shqyrtuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga UNMIK-u dhe familjarët kishin kërkuar që në tetor të vitit 2007, që të hapet procedura hetuese penale e pavarur dhe publike për rastin e 10 shkurtit. Ata u shprehën të pakënaqur me vendimin që seanca dëgjimore të ishte e mbyllur për shkaqe sigurie.

Kemi marrë vendim unanim që kurrsesi të mos pranojmë që seanca e panelit të mbahet pa publik, d.m.th. seancë të ashtuquajtur private apo jopublike”, tha avokati Halim Sulejmani

Çka është për neve fyese dhe ofenduese është insinuata se UNMIK-u dhe EULEX-i nuk kanë mundur ta bëjnë sigurinë e mbajtjes së këtij takimi. Unë nuk e di prej kujt janë frikësuar dhe çfarë informatash kanë marrë”, tha Shaban Xheladini, babai i Arben Xheladinit.

Kërkojmë që të triumfojë drejtësia dhe të dënohen të gjithë ata që kanë marrë pjesë në zinxhirin komandues dhe të marrin dënimin e merituar”, tha Kadri Balaj, babi i Mon Xheladinit.

Paneli i UNMIK-ut për të Drejtat e Njeriut është një organ këshillëdhënës dhe çfarëdo vendimi që ai mund të marrë, nuk është detyrues por varet nga veprimet e shefit të këtij misioni.

Avokati britanik Paul Troop, tha se familjarët kërkojnë hetime të hollësishme lidhur me ngjarjet e 19 shkurtit, por tërhoqi vërejtjen se gjyqet civile nuk kanë mundësi të merren me këtë çështje.

Nuk është e mundur që kjo çështje të hidhet në gjykatë civile, sepse Kombet e Bashkuara dhe ata që veprojnë në emër të tyre në Kosovë apo kudo tjetër kanë imunitet dhe është pak besueshme që ata të heqin dorë nga imuniteti” tha avokati Troop.

Imuniteti ka bërë që njësia e policëve rumunë të largohej nga Kosova ende pa përfunduar hetimet me gjithë kërkesën e atëhershme të UNMIK-ut që ata të qëndrojnë të paktën deri më përmbylljen e procesit.

Zhvillimet pas protestave të 10 shkurtit 2007 çuan në dorëheqjet e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe komisionarit të Policisë së UNMIK-ut. //iç//

XS
SM
MD
LG