Lidhje

Nuk lejohet hyrja e zyrtarit të qeverisë serbe në Kosovë


Autoritetet në Kosovë nuk i lejuan hyrjen zëvendësministrit serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Bojan Angjelkovic. Ky është rasti i tretë me radhë që autoritetet po pengojnë vizitat e paparalajmëruara të zyrtarëve të Beogradit në Kosovë.

Zyrtarë të qeverisë thanë se qytetarët e shteteve tjera mund të hyjnë në Kosovë pa probleme dhe procedura shtesë. Por ata që në Kosovë duan të qëndrojnë në cilësinë e zyrtarëve të shteteve tjera duhet t'i përmbahen procedurës dhe paraprakisht të kërkojnë pëlqimin e institucioneve të vendit.

Zyrtarët serb i janë ankuar sot për këtë çështje shefit të EULEX-it Yves de Kermabon i cili po qëndron për vizitën e parë në Beograd. Zyrtarë të EULEX-it thonë se vizita ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërmjet këtij misioni dhe autoriteteve serbe dhe në takime do të trajtohen temat të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sundimit të ligjit.

Vizita e shefit të EULEX-it në Serbi ndodhë në prag të mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i cili do të diskutojë të hënën për gjendjen në Kosovë. Pjesë e debateve pritet të jetë edhe raporti i EULEX-it për punën e tij në Kosovë. //mm//

XS
SM
MD
LG