Lidhje

Ngjashmëri mes krizës japoneze në vitet '90 dhe tani në SHBA

  • Beri Ud
  • Uashington

Ekspertë të ekonomisë thonë se ka ngjashmëri mes krizës ekonomike të Japonisë në vitet 1990 dhe krizës aktuale në SHBA. Korrespondenti i Zërit të Amerikës ishte në një seminar që u zhvillua në FMN:

Takeo Hoshi, profesor në Universitetin e San Diegos, të Kalifornisë, thotë se mësimet që u nxorën nga kriza financiare në Japoni në vitet 1990 e bën një nevojë absolute eliminimin e huave të këqia nga sistemi bankar në Shtetet e Bashkuara.

Japonia përjetoi një dekadë stanjacioni ekonomik pas një lulëzimi artificial të tregut të shtëpive dhe atij të aksioneve në vitin 1990. Duke mos qenë e sigurtë mbi mënyrën se si do ta ndalonte deflacionin, apo rënien e çmimeve, Banka Qendrore e Japonisë e uli nivelin e interesit në zero, ndërsa qeveria vazhdimisht shtoi shpenzimet për stimulimin e ekonomisë. Por asnjë masë nuk pati sukses, thotë profesori Hoshi, deri në momentin kur qeveria eliminoi huatë e këqia nga sistemi bankar.

"Shumë nga këto masa që provuam dhe diskutuam në Japoni, të cilat po provohen dhe diskutohen edhe këtu në SHBA, nuk ishin të suksesshme, deri kur qeveria më në fund vendosi pastrimin e bankave, duke i detyruar ato të pastronin bilancin e tyre nga huatë e këqija,"- thotë profesori.

Profesori Hoshi dhe pjesëmarrës të tjerë në seminarin e FMN-së mendojnë se formuluesit e politikave amerikane mund të jenë duke përsëritur gabimet e Japonisë, duke refuzuar marrjen e masave të fuqishme, për të eliminuar huatë e këqija nga bilanci i bankave.

Profesori Hoshi i Universitetit të San Diegos dhe Profesori i Universitetit të Tokios Takatoshi Ito, thonë se formuluesit japonezë të politikave pritën një kohë shumë të gjatë, deri në vitin 2002, për të pastruar sistemin bankar. Muajt e fundit qeveria amerikane i ka ndihmuar bankat që po përjetojnë vështirësi finianciare, duke injektuar në to shuma të konsiderueshme parash nga taksapaguesit amerikanë. Por këto masa, deri tani pak kanë ndihmuar në përmirësimin e gjendjes finianciare të bankave.

Profesori Ito i Universitetit të Tokios tha në seminaritn e FMN-së se një sërë paketash të njëpasnjëshme të qeverisë japoneze për ta ndihmuar ekonominë në krizë nuk patën sukses, për ta kthyer ekonominë në gjendjen normale. Pas një rimëkëmbjeje për një kohë të shkurtër, në fillim të dekadës aktuale, ekonomia japoneze ndodhet përsëri në recesion. Profesori Ito thotë se në vend që të përsëriten politikat e dështuara të vitit 1999, për t’u dhënë para direkt konsumatorëve, Japonia duhet të verë në zbatim një program të fokusuar në shpenzimet qeveritare.

"Unë do të thoja se tani duhet fokusuar vetëm në 4 fusha. Ato janë mjedisi, kujdesi shëndetësor afatgjatë, bujqësia dhe arsimi. Këto janë fushat ku duhet rritur produktiviteti ynë, me politikat e duhura, që do të kontribuonte në një rritje të qëndrueshme ekonomike,"- thotë profesori.

Administrata e zotit Obama po i përqëndron shpresat e rimëkëmbjes ekonomike në një program masiv shpenzimesh qeveritare, që u miratua kohët e fundit.

Ndërsa SHBA nuk po përjeton ende rënien e madhe të çmimeve, apo deflacionin, që vazhdon të prekë ekonominë japoneze, ekonomitë e këtyre dy vendeve, aktualisht po përjetojnë tkurrje.

Pasi nuk regjistroi thuajse asnjë lloj rritjeje për një dekadë, ekonomia japoneze që kohët e fundit shënoi një rimëkëmbje të lehtë, gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar u tkurr me një ritëm vjetor prej 12 për qindësh. Ekonomia amerikane, që deri në vitin 2007 shënoi një rritje të fuqishme, aktualisht karakterizohet nga në rënie vjetore me rreth 3-5 për qind.//lk




XS
SM
MD
LG