Lidhje

Analiza PSA e prostatës, më tepër e dëmshme

  • Julia Ritçi

Studiuesit amerikanë dhe europianë thonë se analiza kryesore që përdoret për zbulimin e kancerit të prostatës mund të shkaktojë më shumë dëm, se sa të ndihmojë. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Julia Ritçi, nga Uashingtoni, studimet e reja kanë ri-nxitur debatin rreth mjekimeve agresive për kancerin e prostatës.

Për 20 vite me radhë mjekët kanë përdorur analizën specifike të ashtuquajtur testi antigjen për prostatën, të njohur si PSA, për të zbuluar ekzistencën e kancerit në gjendrën me madhësi të arrës të prostatës në sistemin riprodhues mashkullor. Por ky test ka nxitur polemika dhe disa mjekë thonë se ai ka çuar në dignostikimin dhe mjekimin jo siç duhet të kancerit në prostatë, ndër më të shpeshtit tek meshkujt në botën perendimore.

Në dy studime të kohëve të fundit, të cilat do të publikohen javën e ardhshme në revistën prestigjioze të mjekësisë, të titulluar “New England Journal of Medicine”, studiuesit nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë gjetur se analiza PSA ka shumë pak, ose aspak dobi.
Në diskutimet e faqës së internetit të revistës, doktori Philip Kantoff nga Fakulteti i Mjeksisë në Universitetin Harvard, thotë se kjo analizë mund të shkaktojë probleme në mjekimin e hershëm, në rastet kur sëmundja është duke u zhvilluar me ngadalësi.

“Kur përdoret analiza PSA, mund të diagnostifikohet kanceri në prostatë, por dobitë e diagnostifikimit të kancerit, zakonisht, në fazat e hershme, nuk mund të shihen para 10 deri 15 vitesh. Ndërkohë, dizavantazhet e analizës PSA janë të menjëhershme, në se pacienti është duke marrë mjekime,”
- tha ia.

Sipas doktoreshës Mari MekNaughton-Kollins, studiuese në Spitalin e Përgjithshëm të Massaçusetsit dhe njëkohësisht në Universitetin e Harvardit, Fakulteti i Mjeksisë, mjekimi agresiv mund të shkaktojë efekte anësore tek burrat, si impotencë, mospërmbajtje dhe deri vdekje të parakohëshme. Ajo thotë se problemi qendron në faktin se nuk egzistojnë analiza mjekësore, të cilat do të mund të dallonin mes tumorit që nuk ka nevojë për mjekim dhe kancerit agresiv që ka nevojë për mjekim.

“Unë mendoj se përgjegjësia bie mbi ne mjekët, për t’u treguar skeptikë në kryerjen e programit të analizave, të ndërtuar mbi bazën e të dhënave jo gjithëpërfshirëse. Ky vendim për analizat duket marrë duke u nisur nga fakti, në se ne po i ndihmojmë, apo më tepër po i lëndojmë pacientët,”-tha ajo.

Profesori Kantoff i Universitetit Harvard është dakord me këtë mendim, duke thënë se pjesa e më e madhe e kësaj polemike do të kapërcehej, në se një numër më i madh mjekësh do ta ndanin procesin e zbulimit të kancerit në prostatë nga ai i mjekimit të sëmundjes. Kanceri i prostatës, thotë zoti Kantoff, zhvillohet shumë ngadalë dhe në se ai trajtohet në mënyrën e duhur, për shumë pacientë ai mund të mos paraqesë rrezik të menjëhershëm.

Doktoresha MekNaughton-Kollins thotë se mjekët duhet ta pranojnë këtë çështje të debatueshme dhe t’i informojnë gjërësisht pacientët e tyre rreth përparësive dhe rreziqeve të analizës PSA për zbulimin e kancerit të prostatës.//ap.

XS
SM
MD
LG