Lidhje

Transformimi i NATO-s pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik

  • Jela Françeski

Shumica e ekspertëve të NATO-s janë dakort se organizata ka filluar tashmë procesin e saj të transformimit nga një aleancë, misioni i së cilës gjatë Luftës së Ftohtë ishte të mbronte demokracitë perëndimore nga Pakti i Varshavës, në një koalicion misioni i së cilit është të zgjerojë stabilitetin dhe të nxisë reforma demokratike përtej kufijve të saj.

Shumica e analistëve janë dakort se pas rënies së Bashkimit Sovietik, NATO-ja filloi me shpejtësi të ndryshojë misionin e saj, nga një organizatë mbrojtëse kundër komunizimit, në një mjet të rëndësishme në ndërtimin e Evropës së lirë në periudhën e pas Luftës së Ftohtë.

Aleanca solli në radhët e saj Gjermaninë e ribashkuar. U hapi dyert 14 vendeve të reja, të cilat ishin dikur pas perdes së hekurt, duke përfshirë Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë dhe vendet e Baltikut. NATO-ja i ofroi mundësinë e bashkëpunimit Rusisë për t’i treguar vullnetin e saj në tejkalimin e ndarjeve të Luftës së Ftohtë dhe për t’i treguar se zgjerimi i saj drejt lindjes nuk përbënte kërcënim.

Në vitin 1995, NATO-ja u angazhua në luftën e saj të parë jashtë kufijve të organizatës, për të sjellë paqe në Bosnjë, e cila u pasua nga konflikti i 1999-ës në Kosovë, thotë Xhejms Taunsend, Drejtor për Strategjinë Ndërkombëtare të Sigurisë në Këshillin Amerikan Atlantik këtu në Uashington.

“Mendoj se Ballkani vuri në dukje nevojën e një aleance, nevojën që aleatët të bashkëpunojnë. Aty u provua koncepti se NATO-ja ishte e nevojshme edhe pas Luftës së Ftohtë, dhe ishte një mjet që ndihmonte në integrimin e Evropës.”

Robert Hantër, ekspert sigurie në korporatën Rand në Uashington, shton se NATO-ja ka ndihmuar në nxitjen e reformave demokratike në shtetet ish komuniste.

“Vendet që janë të përgatitura t’i pranojnë kërkesat për anëtarësinë në NATO, të cilat përfshijnë shumë gjëra si demokracinë, përparimin ekonomik, të lënë pas të kaluarën dhe të reformojnë ushtritë e tyre, mund të anëtarësohen në NATO.”

Shqipëria dhe Kroacia janë dy vendet e reja që pritet t’i shtohen NATO-s në prill.

Aleanca u përball me një sfidë të madhe gjatë ndërhyrjes ruse në Gjeorgji në gusht të vitit të kaluar. NATO-ja i pezulloi punimet në Këshillin NATO-Rusi për të protestuar kundër veprimeve të Moskës.

Por në fillim të këtij viti, Rusia dhe anëtarja kryesore e aleancës, Shtetet e Bashkuara, kanë shkëmbyer mesazhe me tone pajtuese.

Ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi Xhorxh Robertson, thotë se rindërtimi i marrëdhënieve lindje-perëndim është qenësor veçanërisht për Rusinë.

“Mendoj se Rusia po ndryshon. E ka kuptuar se është e pambrojtur si pjesë e ekonomisë botërore dhe si pasojë i duhet të rivlerësojë pozitën e saj. Dhe mendoj se këtë duhet ta bëjë në bashkëpunim me vendet e NATO-s.”

Aleanca e Atlantikut përballet tani me sfidën e saj më të madhe në Afganistan.

Shumë analistë shqetësohen se NATO-ja e ka humbur koherencën e saj që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ata vënë në dukje mosmarrëveshjet në lidhje me përcaktimin e misionit të NATO-s në Afganistan; nëse ai duhet të jetë lufta kundër kryengritjes apo rindërtimi i vendit.

Por Çarls Kupçan, ekspert i çështjeve evropiane në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, thotë se NATO-ja është tani shumë më ndryshe seç ishte gjatë Luftës së Ftohtë.

“Kjo është NATO-ja e shekullit të 21-të, më e madhe, më komplekse dhe misionet janë më të ndërlikuara. Duhet të mësohemi me një aleancë që nuk do ta ketë solidaritetin e të kaluarës.”

E ardhmja e NATO-s varet tek formimi i koalicioneve të vullnetshme brenda radhëve të saj, thotë zoti Kupçan.

Por eksperti i sigurisë Robert Hantër thotë se Shtetet e Bashkuara duan që aleatët t’i mbështesin përpjekjet e tyre në Lindjen e Mesme.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me paqen arabo-izraelite, ku NATO-ja do t’i dislokonte forcat nëse do të kishte paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve. Kjo ka të bëjë edhe me Irakun, ku evropianëve do t’u kërkohet t’i ndihmojnë Shtetet e Bashkuara ekonomikisht. Kjo ka të bëjë edhe me Iranin.”

Zoti Hantër thotë se aleanca e Atlantikut do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në garantimin e stabilitetit në shumë pjesë të botës nëse vendet e saj anëtare do të kenë vullnetin të investojnë në të ardhmen e organizatës. (ze)

XS
SM
MD
LG