Lidhje

Koreja e Veriut mbyll dy rrugë ajrore për hedhjen e një rakete


Koreja e Veriut njoftoi sot se do të mbyllë dy rrugë ajrore nga 4 deri më 8 prill gjatë hedhjes së një rakete. Ky vend thotë se do të hedhë në hapësirë një satelit komunikimi.

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut thonë se Pheniani ka në plan të testojë një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi. Sipas tyre hedhja e kësaj rakete bie ndesh me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të vendosur në vitin 2006, kur Koreja e Veriut testoi raketa me rreze të gjatë veprime dhe një armë bërthamore.

Japonia dhe Koreja e Jugut kanë paralajmëruar Korenë e Veriut se do të përballet me një kundërpërgjigje të fortë ndërkombëtare nëse nuk i ndryshon planet. Japonia tha se do të përpiqet t’i shkatërrojë në ajër raketat që hidhen drejt territorit të saj.

Komandantë të lartë ushtarakë amerikanë u thanë anëtarëve të Kongresit se ushtria amerikane mund të jetë e aftë të shkatërrojë në atmosferë raketa koreano veriore me rreze të gjatë veprimi nëse ato kërcënojnë territorin amerikan. //ek


XS
SM
MD
LG