Lidhje

SHBA: Uashingtoni  ka shkallën më të lartë të HIV-Sidës në vend 


Shifrat janë zyrtare. Kryeqyteti amerikan Uashington ka shkallën më të lartë të infektimeve me HIV dhe SIDA në Shtetet e Bashkuara. Sipas një raporti të publikuar në kryeqytet, 1 në çdo 20 të rritur, është i infektuar nga virusi HIV, dhe 1 në 50 të rritur është prekur nga SIDA. Të marra së bashku, flitet për një ngritje prej 22 për qind krahasuar me 3 vjet më parë.

Eduardi është mes 15 mijë banorëve të Uashingtonit të infektuar me virusin HIV. Prej 29 vjetësh ai jeton me këtë virus.

“Mendova se kisha një sëmundje veneriane. Kur mjekët më bënë të gjitha analizat, ata konstatuan se isha infektuar me virusin HIV”.

Sipas një raporti të publikuar nga zyrtarët e qytetit këtë javë, Eduardi nuk është i vetëm. 3 për qind e popullsisë së Uashingtonit është e infektuar me HIV ose SIDË, shkalla më lartë e infeksionit në Shtetet e Bashkuara.

Kjo shkallë është edhe më e lartë se sa në disa pjesë të Afrikës dhe klasifikohet si epidemi.

Drejtoresha e administratës së qytetit për SIDA-ën, Shanon Hader thotë se që ta cilësosh atë emergjencë nuk është e mjaftueshme.

“Ky është një problem afat-gjatë urgjent dhe i rëndësishëm, që ka nevojë për një zgjidhje afat-gjatë urgjente dhe të rëndësishme. Në fakt që ta quash gjendje emergjente është shumë pak”.

Sipas raportit, virusi po përhapet si pasojë e marrëdhënieve mes homoseksualëve, marrëdhënieve heteroseksuale dhe përdorimit të drogave intravenoze.

Komuniteti afrikano-amerikan po vuan më shumë. 80 për qind të rasteve me HIV dhe SIDA janë mes afrikano-amerikanëve. 90 për qind e grave të infektuara janë afrikano-amerikane. Eduardi thotë se njerëzit janë bërë të shkujdesur.

“Në një moment të caktuar e të ndikuar nga alkoholi dhe droga njerzit nuk mendojnë për kontraceptivët dhe për pasojat në mungesë së tyre. Njerëzit mendojnë vetëm për personin me të cilin janë dhe kjo ndodh shpesh”.

Disa studiues thonë se afrikano-amerikanët mund të kenë një prirje gjenetike për t’u prekur nga virusi HIV.

Ekspertët thonë se një pjesë e rëndësishme e parandalimit ka të bëjë me analizat e hershme. Me rëndësi është gjithashtu nxitja e përdorimit të kontraceptivëve dhe programet e përdorimit të shiringave sterile. Në Uashington, 30 për qind e rasteve të reja me HIV e kanë burimin tek përdorimi i drogave intravenoze.

Çip Luis është zëdhënës i klinikës Whitman Walker, qendër për kurimin e HIV-it dhe SIDA-s.

“Nuk ekziston një zgjidhje magjike për këtë situatë. Kemi të bëjmë me një gjendje shumë të komplikuar sepse flitet për çështje si diskriminimi, sjelljet seksuale, përdorimi i drogës, varfëria, etj. Kjo gjendje fshihet pas epidemisë së HIV-it në Uashington. Prandaj nuk mund të përqëndrohesh vetëm në një aspekt të tij, por tek të gjitha aspektet”."


Ilaçet që Edwardi përdor kanë pakësuar sasinë e virusit në gjakun e tij në nivele të pakapshme. Për shumë njerëz që jetojnë me HIV ose SIDA, përparimet që janë bërë në kura kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e tyre. //ek

XS
SM
MD
LG