Lidhje

Kosovë: Ligji i duhanit nuk i pengon duhanpirësit


Paralajmërimet që tashmë janë të vendosura në çdo pako cigaresh ku tërhiqet vërejtja për pasojat e pirjes së duhanit, duket se nuk kanë zmbrapsur rreth 600 mijë duhanxhinj që mendohet të ketë Kosova të cilët mund të tymosin cigare pothuajse në çdo hapësirë. Edhe pse vendi tashmë e ka ligjin për duhanin, ai nuk i pengon duhanxhinjtë që të tymosin edhe nëpër hapësirat publike.

Autoritetet thonë se ligji për duhanin ekziston, megjithatë zbatimi i tij në praktikë ka hasur në vështirësi. Ministria e Shëndetësisë tashmë i ka propozuar Parlamentit të Kosovës disa ndryshime në ligj, në mënyrë që ai të jetë i zbatueshëm.

Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, thotë se institucionet e Kosovës deri tani kanë qenë më tolerante ndaj këtij ligji, por pret që së shpejti parlamenti t’i bëjë ndryshimet e nevojshme.

“Ne kemi parasysh gjendjen reale në vend, si ekomomike, politike, një vend I cili ka dal nga lufta. Nuk jemi të interesuar që njerëzit të dënohen, jemi të interesuar që ky të jetë një proces I edukimit, që sa më pak njerëz ta përdorin duhanin. Në ligj ka pas nevojë që të jepen qartësi sa I përket disa pjesëve të shenjëzimit në paketime dhe ajo çështje është kryer dhe besoj se amandamentimi do të bëhet këto ditë”, tha ministri Gashi.

Parlamenti i Kosovës kishte miratuar ligjin për duhanin qysh në vitin 2005, mirëpo ai nuk ishte nënshkruar nga Shefi i UNMIK-ut deri në vitin 2007.

Gjylnaze Syla, anëtare e Komisionit për Shëndetësi në Parlamentin e Kosovës thotë se boshllëku i krijuar me mos nënshkrimin e ligjit është një ndër faktorët që ka ndikuar në moszbatimin e tërësishëm të tij.

“Është shqetësuese se duhani pihet edhe në sholla, nëpër institucionet e arsimit, shëndetësore, në institucione të tjera publike, duke përfshirë edhe vet kuvendin, prandaj, hartimi i një kornize ligjore e cila do të gjente zbatimin e plotë është shumë e rëndësishme,” tha zonja Syla.

“Ne kemi një argumentim të plotë shkencor që duhani është shumë i dëmshëm, po ashtu ekzistojnë të dhëna që industria e duhanit si cak i ka të rinjtë dhe derisa industria e duhanit harxhon miliarda që ta rrisë numrin e duhanpirësve, institucionet publike kanë buxhete modeste, në të shumtën e rasteve nuk kanë fare”, tha ministri Gashi.

Autoritetet në Kosovë thonë se për zbatimin e ligjit për duhanin do të kihen parasysh edhe përvojat e vendeve të zhvilluara por edhe atyre në zhvillim.

Sipas hulumtimeve, nga duhani çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz, ndërsa në Kosovë, çdo i pesti person llogaritet të jetë duhanpirës. //mm

XS
SM
MD
LG