Lidhje

Irani mirëpret thirrjen e presidentit Obama për një fillim të ri


Një zyrtar i lartë iranian e përshëndeti thirrjen e Presidentit amerikan Barak Obama për një fillim të ri në marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, por tha se vetëm fjalët nuk mjaftojnë.

Një ndihmës i Presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad tha se Shtetet e Bashkuara duhet të përpiqen të ndreqin dëmin e shkaktuar nga gabimet e së kaluarës dhe të bëjnë ndryshime rrënjësore në qëndrimin e tyre ndaj Teheranit.

Në një mesazh të regjistruar në videokasetë drejtuar popullit iranian me rastin e festës së Nevruzit, zoti Obama tha se mes dy vendeve ka dallime serioze, por shtoi se është i angazhuar që t’i trajtojë ato me rrugë diplomatike.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Ud tha se mesazhi i zotit Obama ishte njëri prej disa gjesteve të planifikuara nga administrata amerikane për të patur marrëdhënie më të mira me Iranin. Ai tha se SHBA presin një gjest të ngjashëm nga Irani.

As Presidenti Ahmadinexhad dhe as Udhëheqësi Suprem i Iranit Ajatollahu i Madh Ali Khamenei, nuk e përmendën mesazhin e zotit Obama në përshëndetjet e tyre drejtuar popullit iranian me rastin e festës së Nevruzit.//ap.

XS
SM
MD
LG