Lidhje

Maqedoni: Mbyllen votimet, nuk pati njoftime për dhunë

  • Isak Ramadani
  • Shkup

Në Maqedoni u zhvilluan zgjedhjet presidenciale dhe lokale, të cilat shihen me rëndësi kritike për shpresat e vendit për të hyrë në NATO dhe në Bashkimin Europian. Nuk ka njoftime për incidente dhune si ato që shoqëruan zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.

Masat e sigurisë ishin të rrepta me qindra policë që patrullonin ndërkohë që votimet u monitoruan nga mijra vëzhgues në të gjithë vendin.

Shtatë kandidatë konkuruan për presidencën

Shtatë kandidatë konkuruan për presidencën por në anketat parazgjedhore kryesonte zoti Gjorgje Ivanov, i partisë më të madhe të vendit, VMRO-DPMNE. Analistët thonë se nuk ka të ngjarë që ndonjëri prej kandidatëve të fitojë qysh në raundin e parë prandaj një raund i dytë pritet të zhvillohet më 5 prill. Rezultatet përfundimtare priten të hënën.

Bora e madhe në pjesën perëndimore të vendit bëri që disa qendra votimi të mbeteshin të mbyllura por autoritetet thanë se kjo preku më pak se 1 përqind të elektoratit.

Votimet në Maqedoninë perëndimore do të zhvillohen përsëri, ndoshta më 5 prill.

Ish ministri i brendshëm Ljubomir Frçkovski i Bashkimit Socialdemokrat renditej i dyti në anketat parazgjedhore, ndërsa i treti vinte kandidati shqiptar Imer Selmani.

Votuesit zgjodhin edhe kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiake.

Fushata gjatë tre javëve kaloi e qetë për dallim nga zgjedhjet e qershorit 2008, të cilat ishin mjaft të dhunshme dhe për pasojë, pati madje një të vrarë.

Zgjedhjet e sotme konsideroheshin si më të ndërlikuarat që ka pasur ndonjëherë Maqedonia, për shkak se votohej njëkohësisht për presidentin e vendit, për kryetarë komunash dhe anëtarë të këshillave komunalë, në lista të veçanta votimi. Banorët e Shkupit, madje duhet të plotësonin edhe dy fletëvotime më shumë: një për prefekt të Shkupit dhe një për Këshillin e qytetit.

Gara presidenciale, sipas pritjeve do të çojë në balotazh Gjorgje Ivanovin e VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe Lubomir Fërçkovskin e Lidhjes Social Demokrate. Nuk pritet të fitojë një kandidat presidencial në raundin e parë.

Ndërkohë, shqiptarët presin të fitojnë postet e prefektëve në Tetovë, Gostivar, Dibër të Madhe, në Çair të Shkupit, mbase dhe në Strugë, si dhe në disa komuna rurale.

Komuniteti ndërkombëtar paralajmëroi se këto zgjedhje duhet të mbaheshin në një atmosferë të qetë, demokratike, pa dhunë dhe të mos kishte parregullsi. Ky është kushti që i është vënë Maqedonisë për vazhdimin e rrugës së saj drejt integrimeve euroatlantike.//ik


XS
SM
MD
LG