Lidhje

Presidenti Obama shpreh besimin për çbllokimin e procesit të huadhënies


Presidenti Barak Obama tha se ekipi i tij ekonomik është “shumë i bindur” se pjesa më e fundit e paketës për shpëtimin e bankave do të funksionojë për të vënë në lëvizje procesin e huadhënies.

Presidenti Obama i bëri këto komente të hënën në Shtëpinë e Bardhë pas një takimi me zyrtarë të lartë të sektorit të ekonomisë, përfshirë edhe Sekretarin e Thesarit, Timëthi Gajtnër, dhe drejtorin e bankës Qëndrore amerikane, Ben Bernanke.

Po të hënën, zyrtarët në Departamentin amerikan të Thesarit njoftuan një plan të ri, i cili parashikon blerjen e huave me probleme, që po dëmtojnë bankat dhe po bllokojnë vërshimin e procesit huadhënës, i nevojshëm për të vënë përsëri në lëvizje ekonominë.

Plani bën thirrje që deri në 100 miliardë dollarë të përcaktuara më parë nga qeveria të përdoren në lidhje me investimet private në mënyrë që të eliminohen huatë problematike të bankave.

Programi publik e privat i investimeve bashkon të ardhurat nga pagimi i taksave me fonde private për të blerë fillimisht një shumë prej 500 miliardë dollarësh të huave problematike të bankave, në prag të falimentimit.

Zyrtarët shpresojnë se bankat do të rifillojnë procesin e huadhënies nëse eliminojnë borxhet me probleme.

Sistemi financiar u përfshi nga kaosi vitin e kaluar pasi qindra mijëra amerikanë filluan të mos paguanin borxhet e shtëpive, duke bërë që bankat të mos kishin fondet e nevojshme për t’u dhënë hua konsumatorëve.

Kriza e shtëpive, që goditi gjithë ekonominë amerikane, u bë shkak i recesionit global. (ze)

XS
SM
MD
LG