Lidhje

Sistemi antiraketë në Europë, sa i efektshëm është ai?


Në Shtetet e Bashkuara, dy anëtarë të rëndësishëm të Kongresit e vunë në pikëpyetje planin amerikan për mbrojtjen kundër raketave në Europë, duke thënë se ky sistem nuk është testuar dhe nuk do të mbrojë dot interesat amerikane nga një sulm i Iranit. Një senator tjetër bëri thirrje për më shumë bashkëpunim me Rusinë.

Pjesa e sistemit amerikan të mbrojtjes kundër raketave e cila ka nxitur më së shumti debate përfshin vendosjen e një sistemi radarësh në Republikën Çeke dhe raketave interceptuese në Poloni për të parandaluar ndonjë sulm iranian me shënjestër Europën.

Megjithëse disa teknologji të mbrojtjes nga raketat kanë kaluar me sukses një numër të madh provash, duke përfshirë ato me interceptorë të vendosur në det apo me mbushje të projektuara për të shkatërruar raketat me rreze të gjatë të veprimit mbi oqean, sistemi me rreze të mesme veprimi i parashikuar për Europën ende nuk është provuar dhe është bërë objekt kritikash.

Po ashtu, Rusia thotë se raketat interceptuese të vendosura në Poloni do të kërcënonin sistemin e saj mbrojtës. Zyrtarë amerikanë e kundërshtojnë këtë argument. Por Rusia e ka bërë këtë çështje një nga pengesat kryesore në përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve të dëshiruar nga administrata Obama.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, Karl Levin, la dje të kuptohet se ai beson se pjesa europiane e sistemit të mbrojtjes kundër raketave duhet të braktiset në favor të një nisme të re e cila nuk do ta armiqësonte Rusinë.

“Duket se dera e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë po hapet gradualisht, dhe sistemi i mbrojtjes kundër raketave mund të bëhej një mjet për ndryshime pozitive dhe jo pengesë për marrëdhënie më të mira.”

Zoti Levin tha se edhe pse bashkëpunimi me Rusinë për sistemin e mbrotjes kundër raketave duket i pamundur në rrethanat e tanishme, ai ja vlen të provohet.

Senatori thotë se pasojat negative të një politike të tillë do të ishin minimale ndonëse disa ekspertë shprehin shqetësim rreth një tërheqjeje të mundëshme të Amerikës nga planet për të cilat ajo i ka bërë trysni Polonisë dhe Republikës Çeke për t’i pranuar. Ekspertët po ashtu nënvizojnë se administrata e Presidentit Bush u përpoq të punojë me Rusinë për planin e mbrojtjes kundër raketave, por arriti në përfundimin se një bashkëpunim dypalësh nuk ishte mundësi reale.

Nga ana e saj, anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Ellen Tauscher nënvizon një tjetërmangësi të ndryshme të planit për mbrojtjen kundër raketave në Europë.

Edhe në se ky sistem do të funksiononte, thotë zonja Tauscher, ai nuk do të mbronte dot aleatët e Amerikës në Lindjen e Mesme ose trupat amerikane të stacionuara atje nga arsenali i madh i raketave iraniane me rreze të shkurtër veprimi.

“Këta sisteme janë në gjendje të godasin forcat amerikane dhe aleatët tanë në mbarë rajonin. Interceptorët e vendosur në Poloni do të kishin shumë pak ose aspak mundësi për të parandaluar kërcënimet e raketave të Iranit me rreze të shkurtër ose të mesme veprimi.”

Zonja Tauscher e cila njoftoi javën e kaluar se do të largohet nga Kongresi për të punuar në një post të lartë në Departamentin e Shtetit për kontrollin e armëve, kritikoi gjithashtu Pentagonin i cili ende nuk ka arritur të vërtetojë se plani për mbrojtjen nga raketat në Europë funksionon.

Duke folur përmes internetit nga selia e tij në Kolorado, shefi i Komandës Veriore të Shteteve të Bashkuara dhe njëkohësisht Gjeneral i Forcave Ajrore Gene Renuar, tha se ka besim në sistemin e mbrojtjes kundër raketave, por e pranon se mbetet shumë punë për të bërë.

“Unë jam përkrahës i fuqishëm i këtij sistemi. Por ne ne duhet të vazhdojmë të përqendrohemi në elementet kyçe për testimin dhe vënien në punë të këtij sistemi.”

Administrata Obama ende nuk është shprehur se si do të veprojë lidhur me sistemin e mbrojtjes kundër raketave në Europë. Por ajo ka thënë se dëshiron një start të ri në marrëdhëniet amerikano-ruse. Këto çështje janë në shqyrtim e sipër dhe rezultatet pritën së shpejti. //ii

XS
SM
MD
LG