Lidhje

10-vjetori i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë


Dhjetë vjet më parë Aleanca Veri-Atlantike filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar fillimin e fundit të luftës gati dy-vjeçare në Kosovë. Në muajin shkurt të vitit 1999, pas mbi 20 ditë bisedimesh në Rambuje të Francës, me gjithë trysninë ndërkombëtare që përfshinte edhe kërcënimet për sulme ajrore kundër Serbisë, delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës nuk arritën dot një marrëveshje. Në mes të marsit, delegacioni i Prishtinës u rikthye në Paris, për të nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga perëndimi që synonte t'i jepte fund luftës në Kosovë, ndërsa Beogradi refuzoi. Pak ditë më vonë NATO-ja filloi bombardimet kundër forcave serbe.

Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur. Afro 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Më 10 qershor, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit. Bashkë me trupat serbe nga Kosova u larguan edhe mijëra pjesëtarë të komunitetit serb nga frika e sulmeve hakmarrëse të shqiptarëve.

Bashkë me NATO-n në Kosovë u vendos edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara. Nëntë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila është njohur nga 56 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian. I

nstitucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit. Ata shprehin mirënjohjen nga Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, duke u zotuar se shteti i Kosovës do të jetë gjithmonë faktor i paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Kryeministri Hashim Thaçi, thotë se ato shtete që ndihmuan çlirimin e Kosovës, mbështetën edhe ndërtimin e shtetit të ri.

“Kjo është një ditë e kthesës së madhe për të ardhmen tonë, e parandalimit të depërtimit të njerëzve por edhe fillimit të fitimit të lirisë, thellimit të partneritetit në mes të Kosovës dhe perëndimit, vet realiteti i Kosovës së pavarur sot i jep të drejtë atij vendimi ndërkombëtar për të filluar bombardimet kundër prezencës serbe në Kosovë”.

Në një konferencë që u mbajt në Prishtinë, u tha se ndërhyrja e NATO-s ka ndihmuar edhe krijimin e marrëdhënieve më të mira në rajon.

“Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ka qenë çlirim jo vetëm për shqiptarët, ajo çliroi dhe serbët nga politika shoviniste e Millosheviçit, ajo u hoqi marrëdhënieve shqiptaro – serbe në Kosovë një barrë të madhe apo një gjyle ndër këmbë dhe iu dha mundësinë që ata të zhvillohen në një nivel, në një rrafsh njerëzor ashtu siç duhet”, thotë, Arian Starova, Kryetar i Këshillit Atlantik të Shqipërisë.

Pjesëtar i delegacionit të Kosovës në konferencën e Ramboulliet, Ramë Buja, e quan mrekulli 24 marsin e vitit 1999, sepse sipas tij, në këtë datë ndodhi kthesa e madhe në historinë e Ballkanit.

“Kjo kthesë e madhe nuk çliroi vetëm shqiptarët e Kosovës, por çliroi tërë rajonin, sepse po të jenë të ndërgjegjshëm serbët do të kuptojnë se edhe ata u çliruan, pavarësisht se u goditën sepse u goditën në atë pjesën e zezë të tyre, në atë pjesën e barbarisë së tyre, andaj unë besoj se po qenë esull vërtetë ata duhet ta kuptojnë se ajo goditje do të duhej tu shërbente si leksion i mirë sesi do të duhej të vepronin këtu e tutje”.

Autoritetet serbe ndërkaq të zemëruara me shpalljen e pavarësisë së Kosovës akuzojnë NATO-n se ka ndërhyrë në vitin 1999 për të krijuar si thuhet shtetin e saj në Ballkan. Mbi 14 mijë trupa të NATO-s kujdesen aktualisht për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force është shkurtuar vit pas viti në pajtim me gjendjen e sigurisë në vend.

Ndërkohë, sirenat ajrore u dëgjuan të martën në mbarë Serbinë për të shënuar 10 vjetorin e fushatës së bombardimeve të Natos që i dha fund shtypjes në Kosovë nga ish presidenti jugosllav Slobodan Milosheviç.

Ceremonitë solemne u zhvilluan në Beograd ku autoritetet dënuan sulmet e Natos. Kryeministri serb Mirko Cvetkoviç e quajti ngjarjen të paligjshme dhe tha se sulmet ajrore të Natos nuk i zgjidhën problemet në Kosovë.

Shkollat u hapën me një minutë heshtje për 2 mijë e 500 civilët që qeveria thotë se u vranë në bombardimet 78 ditëshe. Ultra-nacionalistët kanë organizuar një miting kundër Natos të martën më mbrëmbje në Beograd.

Rreth 15 mijë paqeruajtës të Natos janë ende në Kosovë e cila është njohur tani nga 56 vende pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia vitin e kaluar.

Bombardimet e Natos shkatërruan shumë rrugë, ura dhe fabrika në ish-Jugosllavi para se Milosheviçi të pranonte dështimin në qershor të vitit 1999. //bsa//

XS
SM
MD
LG