Lidhje

Takimi i ardhshëm i G20-ës dhe kriza ekonomike globale


Presidenti amerikan Barak Obama po u bënë thirrje udhëheqësve botërorë të marrin masa të guximshme, të gjithanshme dhe të bashkërenduara për të nxitur mëkëmbjen ekonomike dhe për të parandaluar krizat në të ardhmen. Në një artikull të publikuar në gazetën International Herald Tribune, zoti Obama thotë se shpreson që takimi i muajit të ardhshëm në Londër i 20 ekonomive më të mëdha të botës do të përcaktojë norma kolektive. Udhëheqësit botëror të grupit të 20-shes do të zhvillojnë takimin e dytë mbi krizën financiare globale më 2 prill në Londër. Por ka mosmarrëveshje mbi çështjen kryesore të rritjes së shpenzimeve qeveritare për të kompensuar rrënien e ndjeshme të aktivitetit ekonomik global.

Recesioni global është tashmë më i rëndi në 60 vjet. Humbjet në tregjet e aksioneve në Evropë, Azi dhe Amerikë kanë eliminuar 50 trilionë dollarë pasuri. Ekonomisti Mark Zandi thotë se në kohët moderne kjo rënie e shpenzimeve të konsumatorëve është e paparë dhe mjaft e rëndë.

"Pothuajse çdo vend i botës është në krizë. Ekonomitë e zhvilluara sigurisht janë më të prekurat. Ekonomia në Bashkimin Evropian ka rënë 6 përqind, në Shtetet e Bashkuara 6 përqind dhe në Japoni 12 përqind."

Grupi i 20-shes përfshin vende me gjendje të ndryshme ekonomike që nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Brazili, Rusia, Afrika e Jugut dhe Bashkimi Evropian. Ato përbëjnë 80 përqind të prodhimit global. Por ekonomisti me origjinë afrikano-jugore Desmond Lachman nuk pret shumë nga ky takim i dytë i grupit të 20shes.

"E vetmja gjë për të cilën duket se bien dakort janë përmasat e FMN-së, që për mua është gjë shumë e mirë, por kjo është anësore për krizën në të cilën është ekonomia botërore."

Zoti Lakman beson se rritja e madhe në shpenzimet qeveritare është e nevojshme për të ndaluar rënien e mëtejshme dhe për të kompensuar humbjet. Por në këtë pikë, nuk ka asnjë marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara besojnë se stimulimi fiskal është rruga e duhur. Evropianët nuk ndajnë të njëjtën pikëpamje. Ata besojnë se në se shton borxhin qeveritar, kjo do të sjellë probleme në një periudhë afatgjatë. Ashtu si në nëntor, udhëheqësit botëror do të afirmojnë angazhimin e tyre për mbajtjen e tregjeve të hapura. Por qysh atëherë, më shumë se 20 ekonomi kanë bërë lëvizje për të kufizuar tregëtinë.

Edhe Shtetet e Bashkuara, mbrojtëse të tregjeve të hapura, kanë marrë masa për të favorizuar kamionët amerikanë në tregëtinë në kufi me Meksikën. Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick thotë se proteksionizmi përbën një kërcënim.

"Rreziku i proteksionizmit, i hapur apo i fshehtë, do ta bënte një situatë të keqe, shumë më keq."

Analistët janë dakort se veprimet janë të nevojshme, më shumë se premtimet e mëdha që priten në Londër për ta vënë ekonominë globale në rrugën e rimëkëmbjes. //bsa//

XS
SM
MD
LG