Lidhje

Obama: Do të duhet kohë për ta nxjerrë vendin nga kriza


Presidenti Barak Obama u përpoq të qetësojë amerikanët rreth gjendjes së ekonomisë duke thënë se administrata e tij po bën gjithçka mundet për të pakësuar deficitin e madh buxhetor të vendit.

Gjatë një konference shtypi mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë, Zoti Obama tha se administrata po zbaton një stretegji që do të krijojë vende pune, do të ndihmojë pronarët e shtëpive, do të rifillojë dhënien e kredive nga bankat dhe do të rrisë ekonominë në vështrimin afatgjatë.

Zoti Obama tha gjithashtu se vendi duhet të marrë vendime të vështira për të shkurtuar përgjysmë deficitin buxhetor deri në fund të mandatit të tij të parë. Ai paralajmëroi se nuk ka zgjidhje të shpejta. Por presidenti tha se si rrjedhojë e paketës stimuluese të administratës së tij, ekonomia po fillon të shikojë shenja të rimëkëmbjes.

Zoti Obama tha se për të riparuar ekonominë do të duhet një përpjekje ndërkombëtare. Ai tha gjithashtu se në samitin e G-20-s në Londër muajin e ardhshëm, mesazhi i tij do të jetë se vendet e ndryshme duhet të bëjnë ç’është e mundur për të krijuar vende pune, për të shmangur proteksionizmin dhe për ta venë në lëvizje ekonominë.

Presidenti Obama tha në konferencën e shtypit se Shtetet e Bashkuara do të dalin nga recesioni por kjo do të kërkojë kohë dhe durim.

Ai u bëri thirrje amerikanëve të shikojnë drejt së ardhmes me një synim të përbashkët dhe një vendosmëri të re.

Zoti Obama tha se do të ketë një mbështetje të fortë për ristrukturimin e rregullave të cilat do të bëjnë që kompani të tilla si konglomerati i sigurimeve, AIG të mos falimentojnë në të ardhmen.

Ai se vendi nuk ka mjetet e duhura për të marrë në administrim një kompani si AIG për ta shpëtuar atë nga problemet ekonomike. Ai tha se është e nevojshme që qeveria të ketë autoritetin për ta bërë këtë.

Presidenti tha se administrata e tij po bën ç’është e mundur për të ulur deficitin e madh buxhetor por pranoi se kjo është një detyrë e vështirë.

Kritikët e politikës ekonomike të presidentit parashikojnë një deficit buxhetor prej 9.3 trilion dollarësh gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. Presidenti Obama tha se trashëgoi një deficit për të cilin kontribuan republikanët dhe vuri në dukje se republikanët nuk kanë mundur të dalin me një alternativë të tyren.

Zoti Obama tha se buxheti duhet të ndihmojë në drejtim të reformës në shëndetësi si dhe të përfshijë një politikë energjitike që i çliron Shtetet e Bashkuara nga varësia e naftës së huaj. Presidenti Obama tha se dëshiron investime në fushën e arsimit.

EKONOMIA - TEMA KRYESORE E KONFERENCËS PËR SHTYP

Ekonomia ishte tema mbizotëruese në konferencën e shtypit që dha mbrëmë Presidenti Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë, e dyta për të si president që transmetohet nga rrjetet televizive kombëtare. Por Zoti Obama foli edhe për dhunën në Meksikë dhe për kërkimin e paqes në Lindjen e Mesme.

Presidenti tha se me siguri që recesioni mund të kapërcehet, madje, shtoi ai, qysh tani ka shenja përparimi.

"Ne do të dalim nga ky recesion por do të duhet kohë,” tha Presidenti.

Ai tha se miratimi i propozimit të tij për buxhetin është me rëndësi kryesore.

"Buxheti që unë i kam paraqitur Kongresit do ta verë rimëkëmbjen tonë ekonomike mbi një bazë më të fortë në mënyrë që të mos na duhet të përballemi me një krizë tjetër si kjo pas dhjetë ose njëzet vjetësh."

Gjatë gjithë konferencës për shtyp, Presidenti kishte një mision të qartë: t’i bënte njerëzit ta përqendrojnë vemendjen tek ekonomia në përgjithësi pas disa ditë indinjate të shprehur ndaj firmës gjigande të sigurimeve AIG, e cila u dha miliona dollarë shpërblime punonjësve të saj megjithëse kishte marrë fonde qeveritare për të mos falimentuar.

Zoti Obama i bëri thirrje popullit amerikan të mbështesë përpjekjet e tij për t’i dhënë qeverisë autoritet të gjerë që ajo të mund të vendosë rregulla për institucione të tilla financiare si AIG, të cilat nuk janë banka por rënia e të cilave mund t’i shkaktojë dëm serioz ekonomisë.

"Është pikërisht për shkak të mungesës së një autoriteti të tillë që gjendja e firmës AIG është rënduar,”
tha Presidenti Obama.

Presidenti foli gjithashtu për nevojën e reformës në sektorin financiar ndërkombëtar. Ai tha se nuk shikon nevojën e krijimit të një monedhe globale. Ai tha se do të shkojë në samitin ekonomik të G-20-s në Londër me një axhendë të plotë.

"Qëllimi në Samitin e G-20-s mendoj se është të arrihen disa gjëra. Së pari, është t’u thuhet të gjitha vendeve “le të bëjmë ç’është e nevojshme për të krijuar vende pune dhe për ta vënë në lëvizje përsëri ekonominë.""


Gjatë konferencës për shtyp që zgjati pothuajse një orë, Presidenti u pyet gjithashtu rreth vendimit të tij për të dërguar agjentë amerikanë shtesë në kufirin meksikan në përpjekje për të frenuar shtimin e dhunës që lidhet me kartelet e fuqishme të drogës.

Ai tha se është i gatshëm të ndërmarrë hapa të tjera nëse kjo bëhet e nevojshme.

"Ne do të vazhdojmë ta mbajmë në vëzhgim situatën dhe nëse hapat që kemi ndërmarrë nuk funksionojnë atëhere ne do të bëjmë më shumë."


Pyetja e fundit për presidentin kishte të bënte me Lindjen e Mesme dhe me perspektivën e paqes tani që në Izrael përgatitet të vijë në fuqi një qeveri e re, më konservatore.

Presidenti Obama e pranoi se procesi i paqes nuk do të jetë aspak i lehtë. Ai tha se ekzistojnë shumë pasiguri që lidhen me të ardhmen e udhëheqjes si izraelite edhe palestineze. Por ai shtoi se nuk do të heqë dorë.

“Ajo që ne dimë me siguri është se statukuoja nuk mund të vazhdojë më."


Presidenti Obama tha se ai beson në fuqinë e këmbënguljes. Ai theksoi se ka qenë kjo këmbëngulje amerikane që ndihmoi për t’i dhënë fund konfliktit të gjatë në Irlandën e Veriut dhe që mund të sjellë rezultate në Lindjen e Mesme. //ii

XS
SM
MD
LG