Lidhje

Shqipëri: Sot fillon punimet forumi i Krans Montanës

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri nis sot punimet forumi i Krans Montanës, i cili organizohet për të katërtin radhazi në Tiranë. Mbrëmë në hapjen zyrtare kryeministri i bëri thirrje përfaqësuesve të shumtë të sipërmarrjes së huaj por edhe të institucioneve financiare që të investojnë në Shqipëri. Ndonëse bota po kalon një moment krize ka deklaruar kryeministri Shqipëria parashikohet të ketë rritjen më të madhe në Europë.

Forumi i Krans Montanës është parë nga qeveria shqiptare si një vitrinë, përmes së cilës ajo mund të ekpozonte mundësitë që ekonomike që vendi ofron, kryesisht për kapitalet e huaja. Megjithatë, formati shqiptar del edhe jashtë kornizave strikte të vendit, duke i parë zhvillimet ekonomike në një plan më të gjerë kryesisht rajonal të zgjerimit të tregjeve dhe të bashkëpunimit të tyre, por edhe në optikën e zhvillimeve politike duke trajtuar tema të tilla si ato të sigurisë.

Jo më kot, kryeministri Sali Berisha duke përshëndetur mbrëmë hapjen e forumit theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Nato dhe një raport i ri në të ardhmn e afërt me Bashkimin europian, ku Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat janë me një ndikim mjaft të madh për investimet e huaja. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO rrit në mënyrë marramendëse sigurinë për investimet tuaja, për vendin dhe rajonin, tha kryeministri duke ju drejtuar përfaqësuesve të shumtë të biznesit privat vendas e të huj, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare financiare apo dhe personaliteteve politike nga shtete të ndryshme.

Në fjalën e tij kryeministri ka bërë një ekspoze të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, reduktimit drastik të procedurave për hapjen e një biznesi, aplikimit elektronik për prokurimet, lehtësirat fiskale dhe taksat e ulëta. Për kryeministrin Sali Berisha, megjithatë krizën ekonomiko financiare botërore Shqipëria është e shëndetshme.

Ai foli për probleme të vogla buxhetore të cilat sipas tij nuk janë pasojë e krizës por e politiave të ndjekura për të shpenzuar në investime e veçanërisht në infrastrukturë. Por investimet sipas tij janë përgjigja më e mirë ndaj krizës. "Shqipëria - tha ai - sipas parashiimeve të instiucioneve ndërkombëtare do të ketë për këtë vit rritjen më të madhe në Europë."

Forumi i Krans Montanës nis efektivisht punimet e tij sot, ku janë parashikuar trajtimi nga panele të veçanta i disa temave të ndryshme. Gjatë paradites do të diskutohet për ndikimin e procesve integruese euroatlantike në klimën e investimeve të huaja, për çështjet e sigurisë në Europën Lindore, liberalizimin e vizave dhe kontrollin e kufijve, zhvillimin e bujqësisë dhe përmirësimin e infrastrukturës rajonale dhe rrjetit të transportit ndërshtetëror në Europën Juglindore për t’u mbyllur me temën mbi aktivitetet bankare e financiare përballë krizës botërore si dhe rolin e organizatave financiare ndërkombëtare.//lk


XS
SM
MD
LG