Lidhje

Vizita e pres. Obama në Evropë, ekonomia dhe Afganistani


Ekonomia botërore në vështirësi dhe përpjekjet për gjetjen e një strategjie të re për Afganistanin ka të ngjarë të mbizotërojë udhëtimin e parë në Evropë të Barak Obamës si President amerikan. Korrespondetja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Paula Wolfson njofton se presidenti niset më 31 mars për turneun në Evropë, i cili përfshin një takim në Londër mbi krizën ekonomike globale si dhe një takim të NATO-s në kufirin midis Francës dhe Gjermanisë.

Gjatë fushatës presidenciale, Barak Obama zhvilloi një prej takimeve më të mëdha elektorale në Berlin.

“Amerika nuk ka partner më të mirë se sa Evropa”.

Ai foli rreth një epoke të re në marrëdhëniet ndër Atlantike.

“Po, ka pasur mosmarrëveshje midis Amerikës dhe Evropës. Pa dyshim që do të ketë mosmarrëveshje edhe në të ardhmen, por pasha e qytetarisë globale vazhdon të na mbajë të bashkuar”.

Gjatë këtij udhëtimi, evropianët do të shikojnë nëse presidenti Obama mund t’i kthejë fjalët në vepra. Reginald Dale analizon marrëdhëniet SHBA- Evropë në Qendrën për Studime Strategjike e Ndërkombëtare me seli këtu në Uashington.

“Për herë të parë Presidenti Obama do të tregojë në fakt rolin udhëheqës botëror në praktikë, e jo me fjalë”.

Takimi ekonomik i Londrës i 20 ekonomive më të mëdha të botës do të jetë mundësia e parë e zotit Obama. Zoti Dale thotë se kriza ekonomike është me shumë rëndësi.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, George W. Bush, presidenti Obama është shumë popullor mes evropianëve. Zoti Obama mund ta shfrytëzojë këtë kapital politik, thotë John K. Glenn, drejtor i politikës së jashtme për fondin gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara.

“Udhëheqësit evropianë e kishin relativisht të lehtë ta kundërshtonin George Bushin. Ata do ta kenë më të vështirë të kundërshtojnë Barak Obamën”.

Mbështetja për luftën në Afganistan do të jenë një çështje me shumë përparësi për presidentin në takimin e NATO-s. Pikërisht në këtë çështje mund të ketë përplasje midis mbështetjes së evropianëve për Barak Obamën dhe kundërshtimi i tyre për luftën. Steven Pifer i Institutit Brookings thotë se administrata Obama mund ta ketë fare mirë parasysh ndjeshmërinë evropiane kur të hartohet një propozim për në takimin e NATO-s.

“Në se Presidenti Obama parashtron planin në takimin e NATOs- dhe e bën të qartë se janë marrë parasysh shqetësimet evropiane si dhe dëgjon shqetësimet e tyre gjatë takimit, një qëndrim i tillë mendoj se i shton mundësitë që aleatët ta mbështesin më shumë planin e Presidentit Obama”.

Nënpresidenti Joe Biden dhe Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, kanë shkuar tashmë në Evropë. Qëndrimi i administratës së re, thotë John Glenn, është të flasë e të dëgjojë.

“Dhe kjo në disa forma u pëlqen evropianëve”.

Kryeministri britanik, Gordon Brown, është i vetmi udhëheqës evropian që ka zhvilluar bisedime zyrtare me presidentin Obama që kur ai filloi nga detyra. Më pas, ai i tha Kongresit se marrëdhëniet ndër-atlantike janë të forta.

“Nuk ka Evropë të vjetër, nuk ka Evropë të re, ka vetëm një Evropë, që është mikja juaj”.

Administrata e presidentit Bush bëri dallime midis aleatëve të vjetër në perëndim dhe demokracive të reja në lindje, ku politikat e saj ishin shumë popullore. Presidenti Obama pritet të kërkojë mbështetjen e udhëheqësve në gjithë kontinentin evropian. Pas takimit të NATO-s, zoti Obama do të shkojë në Republikën Çeke. Ndalesa tjetër do të jetë Turqia. Madje ka spekullime se në Stamboll ai mund të mbajë një fjalim të shumë pritur për botën arabe. //bsa//

XS
SM
MD
LG