Lidhje

Autoritetet e Prishtinës bëjnë thirrje për investime të huaja në Kosovë


Autoritetet në Kosovë u bënë thirrje investitorëve të huaj që të shfrytëzojnë mundësitë që u ofron shteti më i ri në botë. Këto komente u bënë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Forumin Ekonomik të Vjenës.

Ky Forum, i cili mbledh rreth vetes vendet e rajoni nga Adriatiku deri në Detin e Zi, ka për qëllim nxitjen e investimeve në vendet e Evropës jug lindore. Presidenti i këtij forumi, Erhard Busek, radhiti Kosovën ndër vendet e sigurta për investitorët e huaj.

“Jam shumë i sigurt se Kosova, me burimet energjetike që ka, me linjit, dhe me një infrastrukturën në zhvillim mund të ofrojë shumë mundësi për investime..”, tha zoti Busek, i cili nuk përjashton mundësinë e ndikimit të krizës ekonomike botërore edhe në Kosovë, që siç thotë ai, me mbështetjen e investimeve në energji, në infrastrukturë dhe në fusha të tjera, mund të tejkalohet.

Kryeministri, Hashim Thaçi, tha se Kosova si shteti më i ri në botë ofron mundësi të shumta për investime aq te nevojshme për të. Ai i siguroi investitorët ndërkombëtar se institucionet e Kosovës do të hartojnë politika të favorshme për ta.

“Jam shumë i sigurt se anëtarësimi i Kosovës në Forumin Ekonomik të Vjenës do të shërbejë si bazë solide për promovimin e investimeve të huaja në Kosovë, në periudhën afatmesme dhe atë afatgjatë”.

Ekspertë të ekonomisë në Prishtinë e vlerësojnë pozitivisht anëtarësimin e Kosovës në Forumin Ekonomik të Vjenës, por, tërheqin vërejtjen se institucionet e vendit duhet të punojnë më shumë në përmirësimin e ekonomisë vendase.

Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se anëtarësimi i Kosovës në këtë forum përcjell mesazhe tek investitorët ndërkombëtar se Kosovë është një vend i qëndrueshëm duke përmirësuar kështu, siç thotë ai, imazhin jo të mirë që mund ta ketë Kosova tek vendet e zhvilluara.

“Nuk kemi arsye të jemi të kënaqur me të arriturat ekonomike. Na pret punë e madhe që të bëhet, sidomos në rrugën drejt proceseve integruese, mirëpo integrimet e kërkojnë edhe një përkrahje të zhvillimit ekonomik dhe ky zhvillim ekonomik mund të arrihet vetëm në forma të tilla të bashkëpunimit ndërkombëtar”, thotë zoti Gërxhaliu i cili thekson se është koha kur duhet të ndërkombëtarizohet ekonomia e Kosovës.

Kosova vazhdon të radhitet ndër vendet më të varfra në Evropë me një shkallë të lartë të varfërisë që përfshinë rreth gjysmën e popullsisë, ndërsa 15 për qind e saj jeton në varfëri të skajshme.

Rimëkëmbja ekonomike shihet si një nga sfidat më të mëdha të institucioneve që përballen me shkallë të lartë të papunësisë dhe një proces të ngadalshëm të privatizimit që do të duhej të ndikonte në përmirësimin e gjendjes jo të mirë ekonomike. //bsa//

XS
SM
MD
LG