Lidhje

Karzai mbështet strategjinë e re amerikane për Afganistanin


Presidenti afgan Hamid Karzai i dha mbështetje të plotë strategjisë amerikane për Afganistanin dhe Pakistanin duke thënë se strategjia e re është pikërisht ajo që shpresonte populli afgan.

Sot, gjatë një konference për shtyp, zoti Karzai tha se plani për të përfshirë Iranin në një rol rajonal është diçka mjaft pozitive. Ai tha gjithashtu se plani i mundshëm për t’u shtrirë dorën më shumë elementëve të moderuar të Talibanit, është një zhvillim i rëndësishëm dhe i mirëpritur.

Komentet e udhëheqësit afgan bëhen një ditë pas deklaratës së Presidentit Barak Obama se do të dërgojë më tepër trupa dhe do t’i verë një theks më të madh diplomacisë rajonale për të mposhtur militantët e al-Kaidës dhe aleatët e tyre në Afganistan dhe Pakistan.

Presidenti Barak Obama paraqiti dje planin e tij për të dërguar rreth 4 mijë trupa shtesë në Afganistan dhe për të rritur përpjekjet diplomatike me Pakistanin.

Presidenti Obama tha se strategjia e tij ka një objektiv të qartë.

Zoti Obama tha se për amerikanët, rajoni kufitar mes Afganistanit dhe Pakistanit “është vendi më i rrezikshëm në botë”, ku ata që planifikuan sulmet terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara po përgatisin sulme të tjera.

4 mijë trupat e tjera do t’u shtohen 17 mijë trupave amerikane që presidenti kërkon të dislokojë në atë vend gjatë muajve të ardhshëm. Deri në tetor, niveli i përgjithshëm i forcave duhet të arrijë në 59 mijë.

Sipas planit të ri, fokusi i misionit amerikan do të zhvendoset tek stërvitja dhe shtimi i numrit të forcave afgane të sigurisë, në mënyrë që ata të marrin përgjegjësinë për sigurinë e vendit të tyre. Strategjia e zotit Obama i kushton një rëndësi të veçantë Pakistanit. Ai tha se qëndrueshmëria e Pakistanit varet nga mposhtja e al-Kaidës dhe aleatëve të saj.

Presidenti i kërkoi Kongresit që të autorizojë 1.5 miliardë dollarë që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë në ndërtimin e shkollave, rrugëve dhe spitaleve në Pakistan si dhe një ligj për zhvillimin ekonomik në zonën përgjatë kufirit përveç nismave të tjera diplomatike.

“Përpjekjet tona në Afganistan dhe Pakistan do të dështojnë në se ne nuk investojmë për të ardhmen e tyre. Kjo është arsyeja që buxheti që kam propozuar përfshin investime të pazëvëndësueshme në Departamentin tonë të Shtetit dhe në programet e ndihmave të huaja”, tha ai.

Megjithatë, presidenti kërkon që qeveria pakistaneze dhe ajo afgane të japin llogari se si shpenzohen ndihmat amerikane dhe që ato të luftojnë korrupsionin. Ai tha se Uashingtoni nuk do të japë ndihma pa fund. Zoti Obama tha se një pjesë tjetër e rëndësishme e strategjisë së tij është procesi i ripajtimit në mbarë Afganistanit, i cili mund të bindë disa luftëtarë që të braktisin ideologjinë talebane.

Presidenti Obama tha se do të kërkojë mbështetje financiare dhe ushtarake nga e gjithë bota, kryesisht në takimin e NATO-s javën e ardhshme.

“Bota nuk mund të lejojë që Afganistani të rrëshqasë në kaos ose që al-Kaida të veprojë në atë vend. Ne kemi një përgjegjësi të përbashkët që të veprojmë, jo sepse ne duam thjeshtë të kemi pushtet, por sepse paqja dhe siguria jonë varen nga një gjë e tillë”.

Presidenti nuk ka njoftuar ende se sa do të kushtojë nisma e re apo se sa gjatë parashikon ai që trupat amerikane të qëndrojnë në Afganistan. Zoti Obama u telefonoi dje presidentin afgan Hamid Karzai dhe atij pakistanez Asif Ali Zardari. Një zyrtar amerikan tha se presidenti kishte mbetur i kënaqur nga përgjigja e tyre. //ek//

XS
SM
MD
LG