Lidhje

Sot presidenti Obama bën të njohur strategjinë e re për Afganistanin


Presidenti amerikan Barak Obama do të bëjë sot publike strategjinë e tij të re për Afganistanin-- një javë para takimit të NATO-s, i cili do të mbahet në një vend në afërsi të kufirit mes Gjermanisë dhe Francës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Paula Ulfson, ky plan është pjesë e një procesi të detajuar të shqyrtimit nga administrata e re e presidentit Obama.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs thotë se procesi i shqyrtimit të strategjisë së re për Afganistanin ka përfunduar. Ai thotë se aleatët dhe ligjëvënësit do të kenë mundësi ta shikojnë raportin para se ai të bëhet publik.

“Presidenti po telefonon dhe njofton anëtarët e Kongresit mbi përfundimet e dala nga ky shqyrtim.”

Gjatë një takimit me gazetarët, zoti Gibs nuk pranoi të japë më shumë hollësira mbi planin e presidentit Obama, të cilin ai do ta bëjë publik sot në Shtëpin e Bardhë.

“Do ta dëgjoni presidentin duke thënë, se si përparimi i një sfere varet nga stabiliteti dhe përparimi i sferës tjetër.”

Presidenti e ka thënë në shumë raste se strategjia kyçe në luftën kundër al-Kaides dhe Talibanit është një nismë rajonale, e cila përfshin tri elemente: veprimet ushtarake, diplomacinë, dhe mbështetjen e zhvillimit.

Strategjia e tij e re pritet të përfshijë shtimin e numrit të trupave ushtarake amerikane dhe të personelit civilë, që do të ndihmonin në fusha të ndryshme, duke filluar nga bujqësia e deri tek sistemi juridik.

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, duke folur në një konferencë shtypi në Monterrei të Meksikës tha se përfshirja e personelit civil është një element i nevojshëm.

“Ne jemi të bindur se personeli civil është pjesa më kritike e çfarëdo suksesi, për të cilin ne shpresojmë se do ta arrijmë së bashku me njerëzit dhe qeverinë e Afganistanit.”

Në aspketin ushtarak, udhëheqësi i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, senatori demokrat Karl Levin, thotë se plani bën thirrje për 4 mijë oficerë amerikanë trajnimi shtesë, një rritje kjo deri në 59 mijë veta.

Po ashtu, ka të dhëna se strategjia e re do të përfshijë ndihmë shtesë për Pakistanin, e cila do të kushtëzohen në mënyrën se si qeveria merret me problemin e militantëve përgjatë kufirit me Afganistanin.

Kjo do të duhej të përfshinte zbatimin e ligjit të propozuar vitin e kaluar nga nënpresidenti Xho Bajden kur ai shërbente si udhëheqës i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë. Ai sugjeroi trefishimin e shumës së ndihmave humanitare për Pakistanin, por paralajmëroi se ndihmat ushtarake do të ndalen, në se Islamabadi nuk do tregonte përkushtim të madh në luftën kundër terroristëve.//ap.

XS
SM
MD
LG