Lidhje

Obama u përgjigjet pyetjeve të popullit amerikan përmes internetit


Presidenti Barak Obama iu përgjigj pyetjeve nga më të ndryshmet gjatë takimit të parë përmes internetit me qytetarë të një presidenti amerikan. Pyetjet vinin nga amerikanë nga i gjithë vendi. Presidenti Obama iu përgjigj pyetjeve të dërguara përmes faqes së internetit të Shtëpisë së Bardhë si dhe pyetjeve të parashtruara drejtpërdrejt nga audienca.

Presidenti Barak Obama i tha audiencës nga Shtëpia e Bardhë se po përmbushte një nga premtimet e fushatës për zhvillimin e një dialogu me popullin amerikan.

Seanca me pyetje-përgjigje, shumica mbi ekonominë, kishte formën e një takimi me qytetarë.

Por ky nuk ishte një takim i zakonshëm.

Për herë të parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara i ftoi njerëzit të merrnin pjesë në takim përmes internetit.

“Dua të dëgjoj pyetjet si dhe medimet e shqetësimet tuaja, sepse çka është e rëndësishme për ju dhe familjet tuaja, dhe ku përqendrohen njerëzit këtu në Uashington, nuk janë gjithmonë e njëjta gjë.”

Gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar, zoti Obama përdori internetin për të transmetuar mesazhin e tij.

Tani ai thotë se kjo teknologji do të ndihmojë që Shtëpinë e Bardhë të jetë më e hapur.

Më shumë se 100 mijë pyetje erdhën përmes internetit.

Zoti Obama iu përgjigj pyetjeve që morën më shumë vota.

Një grua nga shteti jugor amerikan i Xhorxhias kishte bërë një pyetje përmes videos.

Ajo e pyeste presidentin Obama se kur do t’u ktheheshin amerikanëve vendet e punës që ishin transferuar jashtë Amerikës.

"Jo të gjitha vendet e punës do të kthehen këtu. Dhe ndoshta kjo nuk do të ishte mirë as për ekonominë tonë. Prandaj duhet të krijojmë vende pune që nuk mund të transferohen jashtë vendit.”

Presidenti tha se amerikanët duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të krijuar vende pune.

Ai tha se mund të ketë edhe humbje të tjera vendesh pune para se situata të përmirësohet.

Disa njerëz nga audienca si dhe nëpërmjet internetit bënë pyetje për kujdesin shëndetsor.

“Tani është koha për të reformuar sistemin e kujdesit shëndetsor. Jo pas katër, tetë apo 20 vjetësh, por tani. Arsyeja pse mendoj se kjo është e rëndësishme është se çmimet e larta të kujdesit shëndetsor janë barrë e rëndë për ekonominë tonë.”

Një pyetje që kishte marrë më shumë se 4 mijë vota në internet ishte nëse administrata do të shqyrtojë mundësinë e ligjësimit të mariuanës për të nxitur ekonominë.

“Kjo ishte një pyetje mjaft popullore prandaj desha t’i përgjigjesha, duke thënë JO. Nuk mendoj se kjo është strategji e mirë për zhvillimin e ekonomisë tonë.”

Takimi me qytetarët në Shtëpinë e Bardhë dhe nëpërmjet internetit u transmetua drejtpërdrejt në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë. //bsa//

XS
SM
MD
LG