Lidhje

Konferencë njëditore e OKB-së për Afganistanin


Zyrtarë të lartë nga e gjithë bota mblidhen të martën për një konferencë njëditore për Afganistanin, organizuar nga Kombet e Bashkuara. Në takimin e sugjeruar nga Shtetet e Bashkuara, do të mblidhen partnerë dhe rivalë në tryezë, përfshirë Iranin.

Lajmet e përditshme nga Afganistani nuk janë të mira, një sulm tjetër me bombë, një rigjallërim i kryengritjes Talebane, krim, prodhim opiumi, varfëri dhe paralajmërime nga ekspertët se lufta mund të vazhdojë për një kohë të gjatë pa rezultate të qarta.

Lufta zgjat që prej shtatë vjetësh, me rreth 70 mijë trupa të huaja në vend, shumica nga Shtetet e Bashkuara. Dhe Presidenti Barak Obama deklaroi se do të dërgojë 4 mijë trupa të tjera për të ndihmuar në stërvitjen e forcave të armatosura afgane. Ato u shtohen 17 mijë trupave që presidenti do që të dislokohen në muajt e ardhshëm.

Në praninë ushtarake në terren janë të përfshira 60 mijë trupa që janë pjesë e një kontigjenti të NATO-s nën mandatin e OKB-së.

Zëdhënësi i NATO-s Xhejms Apathurai sapo është kthyer nga një vizitë në Afganistan, ku shoqëroi zyrtarë të lartë të NATO-s.

“Vlerësimi ynë është ky: në veriun dhe perëndimin e vendit, situata është e qëndrueshme apo në përmirësim e sipër; edhe në Lindje gjendja po përmirësohet, megjithëse ka pasur këto kohë më shumë luftime; në Jug nuk ka përmirësim, situata ka ngecur në vend”.

Apathurai thotë se veprimtaria kryengritëse në Kabul ka rënë, por e pranon se shqetësimet për mungesën e sigurisë kanë bazë dhe shpesh i detyrohen aktivitetit kriminal, jo Talebanëve.

Analisti Dana Allin i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër thotë se arritjet e NATO-s në Afganistan janë të përziera.

“Mendoj se askush nuk i kapi përmasat e misionit të Afganistanit, vështirësinë e një lufte kundër një kryengritjeje që ka pak a shumë një strehë të sigurt në Pakistan”.

Fakti që konflikti ka edhe faktorin ndërkufitar e ka bërë administratën në Uashington të kërkojë një qëndrim më të gjerë dhe rajonal.

Kur deklaroi strategjinë e tij të re për Afganistanin dhe Pakistanin, Presidenti Obama tha se udhëheqja e Talebanëve dhe al-Kaidës po planifikon sulme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera nga rajoni malor i kufirit. Ai tha se ata përbëjnë kërcënim për të dyja vendet e Azisë Jugore.

“Për popullin amerikan, ky rajon kufitar është kthyer në vendin më të rrezikshëm në botë. Por ky nuk është thjesht një problem amerikan. Është një nga sfidat më të vështira për sigurinë ndërkombëtare”.

Analisti Allin thotë se kjo strategji është e mirë, por jo domosdoshmërisht një formulëmagjike.

“Problemi më i vështirë është pa dyshim Pakistani. Në Pakistan ka streha të sigurta ku besohet se janë udhëheqësit terroristë të al-Kaidës. Dhe pa dyshim është një strehë për luftëtarët Talebanë”.

Si të vazhdohet në Afganistan, si të përshtaten strategjitë, si të rritet mbështetja? – këto janë disa nga çështjet që do të shtrohen në tryezë në takimin për Afganistanin në Hagë, ku do të marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre dhe rivali i tyre në Iran.

Analistët thonë se megjithëse Uashingtoni dhe Teherani janë kryesisht në kundërshtim me njëri-tjetrin, Afganistani është një drejtim ku ata mund të gjejnë më lehtësisht një emërues të përbashkët. (ze)

XS
SM
MD
LG