Lidhje

Në tregun e Indisë makina me çmimin më të ulët në botë


Makina më e lirë në botë për pasagjerët është një nga produktet më të pritura në historinë e Indisë.

Makina e vogël, me një motor 624 centimetra kub, 35 kuaj fuqi e që operon me benzinë po trumpetohet si fillimi i një revolucioni social ekonomik.

Kreu i kompanisë Tata Motors, Ratan Tata thotë se ky ishte synimi i tij në ndërtimin e Nanos, dhe jo thjesht prodhimi i makinës më të përballueshme financiarisht në botë.

“Nuk është parashikuar asnjëherë si makina më e lirë. Ajo u ndërtua si një makinë që do t’i jepte popullit indian mundësinë për të patur një makinë që nuk mund ta ëndërronin më parë. Shpresoj t’ia arrijmë këtij qëllimi”.

Shpejt rrugët e Bombeit dhe të tjera rrugë, urbane dhe rurale në mbarë Indinë do të mbushen ne Nano.

Me një çmim pak më shumë se 100 mijë rupla apo dy mijë dollarë, Nano do të jetë gati gjysma e çmimit të modeleve që ofrohen nga konkurrentët e saj. Komentatorët parashikojnë se Tata do të ketë pak vështirësi për të shitur eventualisht miliona makina.

Më 9 prill, Tata Motors do të fillojë të marrë porosi si në dyqane ashtu edhe në internet. Kërkesa parashikohet të tejkalojë ofertën. Një sistem llotarie do të përdoret për të zgjedhur blerësit e parë.

“Kjo është me të vërtetë sfiduese. Jemi të vetëdijshëm që kërkesa do të tejkalojë ofertën në një periudhë të shkurtër – më shumë akoma për arsyen se kjo është një masë e përkohshme që po marrim për të nxjerrë në treg produktin”.

Zoti Tata i referohet problemeve që i dolën në Bengalin Perendimor ku kompania kishte planifikuar fillimisht të prodhonte 700 mijë makina në vit. Por një mosmarrëveshje për tokën e detyroi kompaninë të ikte nga ky shtet.

Kjo vonoi për muaj të tërë nxjerrjen e Nanos dhe të një numër i vogël makinash u prodhuan në një fabrikë të përkohshme.

Modeli standart i Nanos do të jetë shumë i thjeshtë – pa radio dhe pa kondicioner dhe vetëm me një fshirëse xhami.

Por për shumë indianë një makine të tillë është mëse luksoze për atë çmim. (ze)

XS
SM
MD
LG