Lidhje

Pse u tërhoq Mohamad Katami nga gara presidenciale?


Tërheqja e menjëhershme e zotit Mohamad Katami nga gara presidenciale ka bërë që shumë analistë të shtrojnë pyetjen nëse ai vërtet kishte ndërmend të garonte, apo donte thjesht të forconte pozitën e një kandidati tjetër në garë.

Ken Katzman nga Shërbimi Kërkimor i Kongresit, një institucion i paanshëm, thotë se zoti Katami u fut në garë që të bindte një tjetër figurë politike, ish kryeministrin Mir Hosein Musavi, t’i futej garës presidenciale.

"Zoti Katami ka dashur gjithnjë që zoti Musavi të hynte në garë dhe të ishte kandidati reformator. Ai iu fut garës kur zoti Musavi po linte të kuptohej se nuk kishte ndërmend ta bënte diçka të tillë ndaj edhe zoti Katami mendoi se garës i duhej një kandidat i fortë reformator. Por, tani që zoti Musavi është pjesë e garës presidenciale, nuk ka nevojë që dy reformatorë të jenë në garë”.

Sipas njoftimeve të mediave iraniane, zoti Katami i bëri thirrje zotit Musavi në fillim të muajit shkurt që të kandidatonte. Dhe kur zoti Musavi nuk lëvizi, ish presidenti Katami shpalli kandidaturën në datën 8 shkurt. Dhe më pas, zoti Musavi u fut në garë. Pas kësaj, zoti Katami doli nga gara. Shumica e analistëve thonë se zoti Katami nuk donte fare të ishte pjesë e zgjedhjeve. Reva Balla nga kompania private e zbulimit. Stratfor, thotë se Perëndimi ishte më shumë i interesuar tek kandidatura e zotit Katami sesa shumica e iranianëve.

"E di se ai ka mbështetje brenda Iranit. Por kjo mbështetje është më e ekzagjeruar në Perëndim. Më duket sikur Perëndimi shpreson se ai do të kthehet në pushtet dhe Irani do të ndryshojë".

Mohamad Katami shërbeu dy mandate si president reformator, nga viti 1997 deri në vitin 2005. Por, zgjedhjet e vitit 2005, sollën ardhjen e habitshme në pushtet të kryebashkiakut të Teheranit, Mahmud Ahmedinezhad.

Konservatorët, ose siç e quajnë veten ata parimorët, nuk i respektojnë shumë idetë e zotit Katami. Në anën tjetër të spektrit politik, zoti Katami ndez shumë debat. Disa reformatorë mbeten besnikë ndaj tij.

Aleks Vatanka nga revista “Jane's Defense” thotë se shumë iranianë janë shumë të zhgënjyer me arritjet tepër të vogla të zotit Khatami gjatë tetë vjetëve në detyrë.

"Ai është dikush që e bëri shumë për vete elektoratin iranian në vitin 1997, sa i përket mesazhit. Por, për tetë vjet ai nuk arriti shumë. Dhe shumë njerëz nuk e kanë harruar këtë gjë”.

Analisti Vatanka thotë se zotit Katami i mungon vetëbesimi, ndryshe nga presidenti aktual Ahmedinezhad që e pasoi atë.

Analisti Ken Katzman thotë se politikanët konservatorë dhe ata reformatorë besonin se kandidatura e zotit Katami do të hapte plagë ende të pashëruara.

"Kishte frikë se kthimi i zotit Katami në politikë do të thellonte shumë ndarjet mes konservatorëve dhe reformatorëve. Dhe kjo do të përçante vendin dhe mund të krijonte tension. Zoti Katami nuk donte ta krijonte këtë tension”.

Zgjedhjet presidenciale në Iran zhvillohen në një moment kritik, kur një administratë e re në Uashington ka lënë të kuptojë se është e gatshme të bisedojë me Teheranin.

Siç thonë analistët, në Uashington ekziston mendimi se një reformator do të ishte më mirë sesa një konservator si presidenti Ahmedinezhad. Por ata vënë re se, tek e fundit, vendimet përfundimtare në Iran nuk merren nga presidenti i vendit por nga udhëheqësi i lartë, Ajatollahu Ali Kamenei. (ze)

XS
SM
MD
LG