Lidhje

Sekretarja Klinton në Konferencën e Hagës për Afganistanin


Diplomacia duhet të mbështetet me veprime ushtarake dhe projekte zhvillimi për të shpëtuar Afganistanin tha sot sekretarja e Shtetit Hillary Clinton. Ajo i bëri komentet në Hagë ndërsa më shumë se 70 vende janë mbledhur për të rigjallëruar përpjekjet për të stabilizuar rajonin kufitar perendimor mes Afganistanit dhe Pakistanit. Pas takimit me ministrin e Jashtëm hollandez, Maxime Verhagen, zonja Klinton tha se ajo do të parashtrojë në konferencë strategjinë e re të Presidentit Obama për të përmirësuar sigurinë dhe forcuar qeverinë në Afganistan.

“Angazhimi ynë për të ardhmen në Afganistan ka ndikim të madh për të gjithë popujt tanë, të gjithë popujt e lirë, të gjithë ata që ndajnë vlerat që kanë të përbashkëta, amerikanët dhe hollandezët”.

Konferenca e Hagës është një provë për propozimin e zotit Obama për marrëdhënie më të mira me Iranin dhe gadishmërinë e Iranit për t’u përgjigjur. Zonja Klinton nuk përjashtoi mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë me përfaqësuesin e Iranit. Kryetari i delegacionit iranian, zëvendësministri i Jashtëm, Medi Akundzadeh, tha se afganët mbajnë çelësin e së ardhmes së vendit të tyre dhe jo forca ushtarake ndërkombëtare që lufton talebanët. Konferenca u organizua nga Hollanda dhe u hap nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon dhe presidenti afgan Hamid Karzai.

Në fjalimin e tij udhëheqësi afgan tha se me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, Afganistani po hedh hapa të sigurt drejt demokracisë dhe shtetit ligjor. Por ai paralajmëroi se arritjet e deritanishme mund të minohen, nëse ata që duan ta shkatërrojnë Afganistanin lihen të lirë.

“Duhet të izolojmë, të refomojmë ose të heqim të gjitha entitetet që mund të përdoren nga ekstremistët për të arritur çdo synim gjeo-politik dhe duhet të presim çdo arterie që mban gjallë terrorizmin”.

Megjithë premtimet e mëparshme financiare, takimi i sotëm nuk ka patur si synim për të siguruar fonde apo trupa shtesë, çështje që mund të ngrihen në takime të tjera, përfshirë takimin e NATO-s javën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG