Lidhje

Presidenti Obama në Londër për takimin e 20-shes


Presidenti Barak Obama arriti në Londër për samitin global mbi krizën ekonomike botërore. Kjo është ndalesa e parë e Presidentit Obama në një turne 8 ditësh që do të përfshijë tre takime të nivelit të lartë, takime të shumta kokë më kokë me udhëheqës botërorë si dhe vizitën e parë për zotin Obama në një vend kryesisht mysliman që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë.

Pas shumë javësh fokusimi tek ekonomia amerikane, Presidenti Obama del në skenën botërore me vizitën e tij në Londër.

Së bashku me udhëheqës të tjerë botërorë, ai do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të G20-s në një ndërtesë konferencash jo shumë larg qendrës financiare të kryeqytetit britanik. Synimi: të mos lejohet që kriza e tanishme ekonomike të përsëritet.

Ekzistojnë mendime të ndryshme se cili është ilaçi më i mirë për shërimin e ekonomisë së sëmurë botërore, megjithëse ka një konsensus se diçka duhet bërë.

Presidenti Obama është në favor të shpenzimeve të mëdha qeveritare për të nxitur rritjen ekonomike por shumë udhëheqës evropianë duan më tepër reforma në fushën e rregullave të sistemit financiar.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë lënë të kuptohet se synimi i tyre do të jetë zhvillimi i një takimi për shkëmbimin e mendimeve. Ata kanë theksuar gjithashtu se rëndësia e samitit është jashtëzakonisht e madhe.

Analistë si Reginald Dale i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington thonë se ky është një rast që presidenti i ri amerikan të tregojë se ai është në gjendje të bëhet një udhëheqës botëror në fushën ekonomike.

"Në të gjithë botën, njerëzit vuajnë nga kriza ekonomike. Prandaj, takimi i G-20-s, ku marrin pjesë udhëheqës që përfaqësojnë 80 përqind të ekonomisë botërore, është një rast i jashtëzakonshëm që Presidenti Obama të demonstrojë rolin udhëheqës amerikan për të cilin ai flet vazhdimisht."


Para hapjes së takimit të nivelit të lartë, zoti Obama do të ketë një sërë takimesh dypalëshe në Londër. Ai do ta fillojë ditën e sotme me një mëngjes pune me kryeministrin britanik Gordon Brown. Para se të ulet për drekë me pjesmarrës të tjerë të takimit të nivelit të lartë, ai do të ketë një takim me Presidentin rus, Dmitri Medvedev dhe me Presidentin kinez, Hu Jintao.

Të enjten, krahas samitit, Presidenti do të ketë takime të tjera dypalëshe me udhëheqësit e Koresë së Jugut, Indisë dhe Arabisë Saudite.

Pastaj, zoti Obama drejtohet për në kufirin franko-gjerman për ceremonitë me rastin e 60-vjetorit të NATO-s.

Gjendja në Afganistan me siguri do të mbizotërojë takimin e nivelit të lartë të NATO-s, në kushtet kur anëtarët e Aleancës përballen me kërkesat në rritje të sigurisë në shekullin e 21.

Presidenti Obama ka premtuar dërgimin e më shumë trupave amerikane në Afganistan dhe ka bërë thirrje për më tepër mbështetje nga aleatët. Por në Europë ekzistojnë ndjenja të forta kundër dërgimit të trupave të tjera luftarake.

Sally McNamara e cila analizon çështjet europiane në Fondacionin Heritage të Uashingtonit, thotë se zoti Obama mund të shfrytëzojë popullaritetin e tij personal mes europianëve për t’i bindur udhëheqësit e tyre të mbështesin luftën në Afganistan me mënyra të tjera.

"Shumë do të varet nga Presidenti Obama. Ai është ndoshta presidenti amerikan më popullor në Europë që kemi parë ndonjëherë. Ai fare mirë mund ta shfrytëzojë këtë duke u thënë popujve të Europës, “Ja se për çfarë kemi nevojë.”"


Udhëtimi i parë i zotit Obama përtej oqeanit përfshin edhe një ndalesë në Pragë, ku ai do të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë të Bashkimit Europian dhe do të mbajë një fjalim mbi çështjen e përhapjes së armëve.

Turneu i zotit Obama mbaron me një vizitë në Turqi ku presidenti amerikan do të flasë para parlamentit në Ankara dhe do të zhvillojë një dialog me të rinjtë në Stamboll. //ii

XS
SM
MD
LG