Lidhje

Braun: 20 ekonomitë e mëdha po bëjnë hapa në përballimin e krizës


Kryeministri britanik, Gordon Braun, thotë se 20 ekonomitë më të mëdha të botës po bëjnë përparim të ndjeshëm në përballimin e krizës ekonomike botërore, në prag të takimit të nivelit të lartë që mbahet këtë javë në Londër.

Zoti Braun tha dje se çdo ekonomi e madhe ka ndërmarrë hapa të koordinuar për të stimuluar rritjen, duke përfshirë uljen e interesave bankare, shkurtimin e taksave dhe shtimin e shpenzimeve. Ai i bëri këto komente pas bisedimeve që pati në Londër me Kryeministrin e Australisë, Kevin Rudd.

Grupi i 20-s do të mblidhet të enjten në Londër për një takim një ditor. Në një projekt-deklaratë të grupit thuhet se këto vende do t’i japin më shumë para Fondit Monetar Ndërkombëtar, që ky i fundit t’u japë hua vendeve të varfër të goditur nga kriza ekonomike.

Dokumenti thotë se ekonomitë e mëdha nuk do të ndjekin politika tregtare proteksioniste dhe zhvlerësime të monedhave të cilat mund të dëmtonin shanset e rigjallërimit ekonomik të vendeve të tjera. Aty nuk flitet për ndonjë plan që lidhet me shpenzime të tjera qeveritare për nxitjen e kërkesës botërore. //ii

XS
SM
MD
LG