Lidhje

Paraja, shëndeti dhe duhani. Trafiku rrugor dhe goditjet në zemër. Kanceri në ezofag


Paraja, shëndeti dhe duhani


Paraja nuk vlen; me të nuk mund të blihet as dashuri e as shëndet, nëse ju pini duhan. Ky është përfundimi i një studimi që u krye nga një grup mjekësh në Skoci. Sipas studimit, njerëzit me paga të larta, por që pinin duhan kishin më shumë të ngjarë të vdisnin më herët sesa ata që merrnin paga më të ulta por nuk pinin duhan. Femrat që nuk pinin duhan kishin shanse më të mira për të jetuar më gjatë, ndërkohë që meshkujt që pinin duhan kishin gjasa të vdisnin parakohe..

Sipas studimit, njerëzit me paga të larta, por që pinin duhan kishin më shumë të ngjarë të vdisnin më herët sesa ata që merrnin paga më të ulta por nuk pinin duhan. Ndersa femrat që nuk pinin duhan kishin shanse më të mira për të jetuar më gjatë, ndërkohë që meshkujt që pinin duhan kishin gjasa të vdisnin parakohe.

Pasojat negative të duhanit janë të dokumentuara e të njohura mirë – ata që pijnë duhan preken shpesh nga sëmundje të zemrës, shumë lloje kanceresh dhe rrezikohen të vdesin parakohe.

Por pak studime kanë marrë në shqyrtim lidhjen midis gjendjes ekonomike e shtresës shoqërore dhe duhanit. Në përgjithësi, njerëzit e pasur ose në gjendje të mirë financiare gëzojnë shëndet më të mirë, por studimi i fundit tregon se duhani i pakëson të mirat e që ofron paraja.

Mjekët në Skoci vëzhguan për 28 vjet rreth 15 mijë persona të moshës mesatare. Ata zbuluan se njerëzit e shtresave të larta shoqërore ishin më pak të prirur për të pirë duhan, megjithëse 4 në 10 prej tyre pinin duhan rregullisht.

Por pasuria nuk ofronte mbrojtje nga sëmundjet që lidheshin me duhanin. Njerëzit nga të gjitha shtresat shoqërore, gra e burra, që pinin duhan kishin 3 herë më shumë gjasa të vdisnin nga kanceri në mushkëri. Gratë që nuk pinin duhan jetonin më gjatë dhe mbi 50 përqind e tyre vazhdonin të jetonin në përfundim të studimit. Por studimi përmban edhe lajmin optimist se ata që e kishin lënë duhanin, kishin gjasa të mbijetonin, thuajse njësoj si ata që nuk kishin pirë kurrë duhan.


Trafiku rrugor dhe goditjet në zemër


Ngarja e makinës mund të jetë e rrezikshme për shëndetin, jo vetëm për shkak të ndonjë aksidenti. Sipas një studimi, trafiku rrugor mund të nxisë goditjet në zemër. Mjekët intervistuan pacientë me goditje në zemër dhe zbuluan se shumë prej tyre kishin gjasa të fillonin të ndjenin simptoma të ngacmimeve në zemër më shumë kur i afroheshin një rruge me trafik ose autostrade se sa kur ngisnin makinën në rrugë të qeta ose kur kryenin veprimtari të tjera.

Dihet se amerikanët shpenzojnë një pjesë të mirë të kohës së tyre në trafik të dendur. Më shumë se 120 milionë prej tyre udhëtojnë çdo ditë të paktën 30 minuta për të shkuar në punë. Studimi i kryer në Gjermani tregon se përballja me trafikun rrugor nxit goditjet në zemër tek personat me probleme në këtë organ.

Shkencëtarët pyetën më shumë se 1 mijë e 400 pacientë se çfarë lloj veprimtarie kishin kryer para se t’u shfaqeshin simptomat e goditjeve në zemër. Rezultatet treguan se këta pacientë kishin 3 herë më shumë gjasa që të pësonin goditje në zemër brenda një ore të udhëtimit me makinë, autobus ose motorçikletë në rrugë me trafik, në krahasim me kryerjen e ndonjë aktiviteti tjetër më pak stresues. Sipas studimit, femrat ishin me të ndjeshme – ato ishin 5 herë më shumë në rrezik për të pësuar goditje në zemër kur përballeshin me trafik të dendur rrugor. Autorët e studimit thonë se ende nuk janë të sigurt se në ç’mënyrë trafiku nxit goditjet në zemër, megjithëse idea e tyre është se një kombinim i stresit me ajrin e ndotur nga tymi i makinave mund të përbëjë një faktor ndikues.


Kanceri në ezofag


Një studim i ri tregon se njerëzit që skuqen në fytyrë pasi kanë marrë ndonjë gotë me pije alkoholike, mund të jenë në rrezik më të lartë për t’u prekur nga kanceri në ezofag. Shkencëtarët thonë se nevojiten studime të tjera e më të thella për të arritur në një përfundim të plotë, ndërkohë që kanceri në ezofag vazhdon të mbetet një prej kancereve me rritje të shpejtë në Shtetet e Bashkuara. Rastet e prekjes nga ky lloj kanceri shtohen çdo vit deri në 500 përqind.

Nga kanceri në ezofag preken kryesisht burrat dhe ky lloj kanceri është dy herë më vdekjeprurës sesa melanoma apo kanceri në lëkurë. Ekspertët thonë se kanceri i ezofagut shpesh duket i befasishëm. Në të shumtën e rasteve simptomat e tij shpesh shfaqen me shenja të zakonshme si kollë e vazhdueshme, dhimbje gryke, ose vështirësi në tretje, ndërsa shenja më shqetësuese është kur personi ka vështirësi të përtypë ushqimin. Ky lloj kanceri mund të trajtohet sukseshëm me operim e kimoterapi, nëse zbulohet në fazë të herëshme.

Në 50 përqind të rasteve kanceri në ezofag shkaktohet nga lëngjet acide në stomak, të cilat duke u ngjitur lart prekin pjesën e poshtme të ezofagut, ku në disa raste dëmtojnë qelizat ose i ndryshojnë ato. Këto qeliza të ndryshuara në disa raste shndërrohen në kanceroze. Në Shtetet e Bashkuara, çdo vit diagnostikohen 16 mijë raste të kancerit në ezofag dhe 14 mijë pacientë vdesin çdo vit nga kjo sëmundje.

Lexo dhe komento; http://astritlulushi.wordpress.com/

XS
SM
MD
LG