Lidhje

Udhëheqësit botërorë mblidhen në Londër për takimin e G20-tës


Grupi i G-20-tës, vendet pjesëmarrëse të të cilit përbëjnë mbi 80 për qind të ekonomisë botërore, ka qënë në konflikt nëse të përdorë stimuj financiarë, paketa shpenzimesh të mëdha dhe shkurtime taksash, apo të zbatojë praktika më të mira kontrolli për ta nxjerrë ekonominë nga recesioni.

Ndërsa takimi afrohet, disa analistë kanë bërë krahasime me kushtet në të cilat delegatët nga 66 vende u mblodhën në Londër në përpjekje për të hartuar plane për rigjallërimin e ekonomisë në periudhën e Depresionit të Madh në vitin 1933.

Këtë muaj, ministrat e financave u mblodhën në Horsham dhe me Gjermaninë dhe Francën në krye, Bashkimi Evropian hodhi poshtë idenë e Shteteve të Bashkuara për stimulimin financiar për të dalë nga kriza. Përkundrazi ata vendosën të përqëndrohen në përmirësimin e sistemit bankar, në vendosjen e rregullave financiare dhe në shuma më të mëdha parash për Fondin Monetar Ndërkombëtar, që ky t’u japë hua qeverive në vështirësi.

Ministri gjerman i Financave, Pir Stajnbruk, tha se është me rëndësi që të kthehet besimi tek tregjet para se të hidhen më shumë fonde në sistem.

“Nuk ka kuptim që ne të hedhim më shumë para në ekonominë tonë pa rikthyer së pari besimin tek tregjet financiare. Rikthimi i besimit tek tregjet financiare është parakusht i suksesit të paketave stimuluese”.

Si zyrtarët amerikanë edhe ata evropianë kanë bërë thirrje për shtimin e donacioneve për FMN-në, në mënyrë që ky i fundit të ndihmojë vendet në vështirësi. 16 vendet që përdorin euron ranë dakord këtë muaj t’u kërkojnë qeverive që të dyfishojnë burimet e FMN-së në 500 miliardë dollarë dhe t’i japin asaj një rol të rëndësishëm në mbikqyrjen e rreziqeve për ekonominë globale.

Përparësia kryesore duhet të jetë rifillimi i procesit bankar huadhënës dhe eliminimi i aseteve toksive, thanë në një deklaratë ministrat e financave dhe zyrtarët e bankave qendrore nga grupi i G-20-tës në përfundim të bisedimeve në Anglinë jugore.

Megjithatë, kjo deklaratë nuk mbështeti kërkesën e Shteteve të Bashkuara për përpjekje konkrete e të bashkërenduara që qeveritë të shpenzojnë më shumë për të nxitur ekonomitë e tyre.

Javën e kaluar, kryeministri britanik, Gordon Braun, bëri një turne në vende të ndryshme të botës për të shtuar mbështetjen për një marrëveshje për ekonominë globale në takimin e grupit të 20-tës.

Duke folur para anëtarëve të Parlamentit Evropian në Strasburg, kryeministri Braun bëri thirrje për standarte globale në kontrollet financiare.

“Propozoj që Evropa të jetë në krye të një plani të guximshëm për të siguruar që çdo kontinent bën ndryshime në sistemin bankar, të cilat do të hapnin rrugën drejt një begatie të përbashkët, që çdo vend të marrë pjesë e të bashkëpunojë në caktimin e standarteve globale për kontrollet financiare dhe çdo kontinent të hedhë burimet për të cilat kemi nevojë për të siguruar zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës”.

Kryeministri britanik këmbënguli se investimi në ekonominë globale do të ishte dy herë më i efektshëm nëse marrin pjesë të gjitha vendet e botës.

Kryeministri Braun, i cili do të kryesojë samitin e kësa jave, shtoi se standartet e kontrollit duhet të zbatohen në gjithë botën.

Grupi i 20 vendeve më të zhvilluara e më të industrializuara u krijua në vitin 1999 në përgjigje të krizës financiare të asaj kohe si dhe të faktit se vendet kryesore të tregut të lirë nuk ishin përfshirë sa duhej në diskutimin dhe qeverisjen e ekonomisë globale. (ze)

XS
SM
MD
LG