Lidhje

Prishtinë: Realizimi i ndihmave nga Konferenca e Donatorëve

  • Edona Demaj
  • Prishtinë

Autoritetet në Prishtinë e kanë vlerësuar të suksesshëm procesin e realizimit të ndihmave nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën, ndërsa bënë të ditur se, një e treta e ndihmave të premtuara në këtë konferencë kanë filluar të investohen në Kosovë.

Në një forum të nivelit të lartë që u mbajt në Prishtinë në mes qeverisë dhe donatorëve, u prezantuan rezultatet e para të arritura nga ndihmat e përfituara në Konferencën e Donatorëve, e cila u mbajt në Bruksel më 11 korrik të vitit të kaluar, e në të cilën u premtuan 1.2 miliard euro mbështetje financiare për Kosovën.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se ndihmat financiare nga kjo Konferencë janë orientuar në fushat kryesore që lidhen me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Përmbushja e nevojave të qytetarëve tanë për vende pune, të paguara më mirë, për përkujdesje shëndetësore të nivelit më të lartë, arsimim më cilësor, dhe energji të qëndrueshme do të jenë detyra të vështira”.

“Nevojat e sotme të Kosovës i tejkalojnë kapacitetet e saj për t’i financuar të gjitha nevojat….Kosova ka nevojë për ndihmën tuaj - ndihmë teknike, profesionale dhe për mbështetje financiare – nëse duam të përballemi me sukses me këto sfida”, tha kryeministri Thaçi. Ai përmendi edhe kriza botërore financiare, e cila sipas tij, nuk ka ndikuar drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës, por ai tërhoqi vërejtjen se për shkak të recensionit global, mund të ngadalësohet rritja ekonomike në vend...

Shef i Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë Renzo Daviddi, tha ndërkaq se ndihmat e dhuruara nga donatorët duhet të përcillen në mënyrë shumë të detajuar.

“Rëndësia e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet donatorëve është vënë në pah tashmë edhe nga udhëheqësit e qeverisë, dhe edhe unë ndaj mendimin me ta për nevojën sa më të madhe të bashkëpunimit me donatorët”, thotë zoti Daviddi.

Në konferencën donatorëve, e cila u mbajt në korrik të vitit të kaluar, Kosova mori mbështetje financiare rreth 1.2 miliardë euro. Këto ndihma të dhuruara nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian , Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera, synohet të ndihmojnë Kosovën në rritjen ekonomike, e cila vlerësohet të jetë në gjendje të rëndë. (ze)

XS
SM
MD
LG