Lidhje

Takimi i presidentëve Obama-Medvedev



Presidenti i Shteteve të Bashkura, Barak Obama dhe homologu i tij rus, Dmitri Medvedev, kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet për pakësimin e armëve bërthamore me rreze të gjatë veprimi.

Të dy presidentët u takuan në Londër para pritjes që patën me Mbretëreshën Elizabeth në Pallatin Bakingam në prak të takimi të nivelit të lartë të 20 ekonomive më të mëdha të botës, që fillon nesër.

Pas takimit, zoti Obama u tha gazetarëve se të dy presidentët zhvilluan një dialog konstruktiv që do t’i hapë rrugën bashkëpunimit mes dy vendeve për paksimin e armëve bërthamore dhe forcimin e traktateve për mospërhapjen e armëve të tilla.

Presidenti rus, Medvedev vuri në dukje se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë morrën një drejtim të gabuar në vitet e fundit, por tha se të dy vendet mund të trajtojnë çështje me interes reciprok, pavarësisht nga divergjencat mes tyre.

Të dy presidentët thanë se shpresojnë të arrijnë marrëveshje për zgjatjen e afatit të traktatit për pakësimin e armëve strategjike që skadon në dhjetor dhe të pakësojnë arsenalet e armëve në nivelet e caktuara në bazë të paktit të vitit 2002.

Ata i udhëzuan negociatorët të raportojnë mbi ecurin e procesit në muajin korrik, kur Presidenti Obama të shkojë për vizitë në Rusi.

Presidentët Obama dhe Medvedev u shprehën në një deklaratë të përbashkët me këto fjalë: “Ne udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë jemi gati të kapërcejmë mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe të hapim një kapitull të ri në mbarrëdhëniet mes dy vendeve”.

XS
SM
MD
LG