Lidhje

Obama, Braun theksojnë nevojën për t'iu përgjigjur krizës


Presidenti amerikan Barak Obama dhe kryeministri britanik Gordon Braun theksuan rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për tejkalimin e krizës ekonomike botërore.

“Ne po përballemi me krizën më të rëndë ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore. Ekonomia globale është kaq e ndërlidhur saqë kjo sfidë mund të përballohet vetëm nëse punojmë së bashku.”

Kryeministri Braun, nga ana e tij ritheksoi se megjithëse ka shumë për t’u rrezikuar, të gjithë duhet të përqendrohen në gjetjen e një gjuhe të përbashkët.

“Zoti Obama dhe unë kemi të njëjtin mendim për sa i përket domethënies së takimit të 20-shes. Bota po bashkohet për të kapërcyer një krizë globale financiare të paparë ndonjëherë.”

Duke folur pas bisedimeve në Londër para takimit të G-20ës, të dy udhëheqësit ritheksuan përkushtimin e tyre për të parandaluar një krizë të ngjashme në të ardhmen.

“Siç e kam thënë dhe më parë, ne kemi kaluar një periudhë papërgjegjësie të madhe, prandaj nuk mund të marrim masa gjysmake. Ne kemi një zgjedhje për të bërë, ose të marrim në dorë të ardhmen tonë, ose ta lëmë atë në dorë të fatit. Nëse duam të kemi sukses, nuk duhet të ngecemi tek debatet dhe ndarjet e vjetra që nuk na çojnë përpara.”

Megjithatë, atmosfera para takimit të G-20ës në Londër ishte pak e tendosur. Disa vende fajësojnë Shtetet e Bashkuara për krizën ekonomike për shkak të mungesës së rregullimit të sistemit të saj financiar, çka çoi në krizën e kredive.

Franca dhe Gjermania e kanë vënë theksin e takimit të G-20-ës pikërisht në reformat rregullatore. Madje, presidenti francez Nikolas Sarkozi tha gjatë një interviste se ai do të largohej nga takimi nëse vendet nuk arrinin të binin dakort për rregulla më të rrepta për tregjet financiare globale.

Presidenti Obama thotë se mospajtimet nuk janë aq të thella. Ndërsa kryeministri Gordon Braun thotë se nuk beson se ndonjë nga udhëheqësit do të largohet nga takimi dhe të lërë punën e tij të rëndësishme.

“Unë jam i bindur se presidenti Sarkozi nuk do të qëndrojë këtu vetëm për pjesën e parë të darkës. Ai do të rrijë me ne deri në fund. Mendoj se, siç tha edhe presidenti Obama, bota nuk është bashkuar asnjëherë në mënyrë të tillë për të gjetur një zgjidhje për krizën ekonomike.” (ze)

XS
SM
MD
LG