Lidhje

Në 60 vjetorin e saj, NATO përgatitet për sfidat e së ardhmes


E krijuar pas luftës së dytë botërore dhe në prag të luftës së ftohtë, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior bashkoi vendet e Evropës Perëndimore me Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara për t’u vetëmbrojtur nga kërcënimi i Bashkimit Sovjetik. Gjatë viteve të fundit shumë gjëra kanë ndryshuar. Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më, NATO-ja është zgjeruar drejt lindjes dhe kjo organizatë përballet me sfida të reja, mes tyre si ta trajtojë luftën në Afganistan dhe si t’ia përshtasë misionin e saj sfidave të shekullit të 21-të. Udhëheqësit e NATO-s përballen me shumë çështje, ndërsa ata mblidhen në Strasburg të Francës dhe në Kehl të Gjermanisë me rastin e 60 vjetorit të aleancës.

Luftimi i kryengritësve në malet e Afganistanit nuk u parashikua nga themeluesit e NATO-s, por kjo është pikërisht sfida me të cilën përballet sot aleanca.

NATO-ja ka rreth 60 mijë trupa nën komandën e saj në Afganistan dhe ky numër pritet të shtohet së shpejti.

Zëdhënësi i NATO-s, James Apathurai, thotë se Afganistani do të jetë në krye të rendit të ditës në takimin e nivelit të lartë këtë fundjavë.

“Afganistani do të jetë element kyç. Presidenti amerikan me siguri do të dojë të diskutojë me aleatët strategjitë e reja për Afganistanin, ku të përqëndrohen burimet dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë dhe ndryshe për të çuar përpara suksesin e arritur deri tani”.

Udhëheqësit e NATO-s thonë se në Afganistan po bëhet përparim, por pranojnë se ka ende shumë punë për të bërë.

Në Bririn e Afrikës në brigjet e Somalisë, NATO-ja mban një flotë të vogël detare, e cila ka për detyrë të kontrollojë për akte të mundshme piraterie. NATO-ja ka dislokuar përmes ajrit forca të Bashkimit Afrikan për në Somali.

“Kjo është pjesë e evolucionit të organizatës për të përballuar rreziqe sigurie, që kurrë nuk ishin menduar 20 vjet më parë", thotë zëdhënësi i NATO-s.

NATO-ja u themelua në prill të vitit 1949 me rreth 10 shtete për t’iu kundërvënë kërcënimit në rritje nga Bashkimi Sovietik. Misioni i saj ishte mbrojtja nga një sulm i mundshëm i Moskës apo aleatëve të saj në Paktin e Varshavës.

Dana Allin, analisti i sigurisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër thotë se NATO-ja e kreu me sukses këtë detyrë.

“Është e qartë se suksesi më i madh i NATO-s ishte që aleatët qëndruan të bashkuar, parandaluan sulmet ruse dhe e mbajtën Perëndimin bashkë pa luftuar”.

Por shpërbërja e Bashkimit Sovjetik bëri që të vihet në diskutim synimi i ri i NATO-s.

Fillimi i viteve 90-të vuri në provë aftësitë tradicionale mbrojtëse të NATO-s. Jugosllavia e atëhershme nisi të shpërbëhej dhe rajoni u prek nga lufta civile, spastrimi etnik dhe gjenocidi. Më pas filloi lufta në Kosovë, ku operacionet e NATO-s dëbuan forcat serbe dhe i dhanë fund fushatës së përgjakshme kundër popullatës shqiptare.

“NATO-ja u tregua e ngadaltë; përgjithësisht Perëndimi reagoi me ngadalë, por kur kjo u bë, reagimi ishte i efektshëm”, thotë analisti.

NATO-ja pati operacione dhe mundësi të reja pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Aleanca u zgjerua drejt Lindjes, duke anëtarësuar vende si Polonia, Republikat Balltike, vende ballkanike, duke iu afruar kufijve të Rusisë. Edhe vende të tjera duan të anëtarësohen në Aleancë.

Rusia ka kundërshtuar planet e Shteteve të Bashkuara për dislokimin në Evropën Lindore të një sistemi për mbrojtjen nga raketat. Madje Moska është shprehur hapur kundër zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, duke anëtarësuar Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Mes gjithë këtyre çështjeve të pazgjidhura, NATO-ja sheh drejt së ardhmes, thotë zëdhënësi i aleancës.

“Objektivat e NATO-s për të ardhmen do të përqëndrohen tek lufta kundër sulmeve kompjuterike, tek siguria e energjisë. Sa do të përfshihet NATO-ja në këto operacione, cilët do të jenë partnerët e NATO dhe si do të punojmë me ta?”.

Analisti Dana Allin thotë se duhet pasur kujdes.

“NATO-ja ka shumë vende anëtare. Misioni i NATO-s është i madh dhe jo modeomos duhet të përfshihet në çdo lloj krize”.

Me pak fjalë, kjo aleancë 60 vjeçare, tani me 28 vende, pas anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë, duhet të përcaktojë një kurs në mënyrë që të ruajë efektivitetin e saj në shekullin e 21. (ze)

XS
SM
MD
LG