Lidhje

Presidenti Obama: Takimi i Londrës, përveçse historik, edhe produktiv

  • Paola Ufson
  • Londër

Presidenti Barak Obama tha se takimi i G-20 do të jetë një “pikë kthese”në rimëkëmbjen e ekonomisë globale, por paralajmëroi se rezultatet nuk do të duken menjëherë. Zoti Obama tha se udhëheqësit e 20 vendeve më të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, kapërcyen “mosmarrëveshje të ndershme”, sipas fjalëve të tij, dhe se janë të përkushtuar të fuqizojnë rritjen ekonomike, krijimin e më tepër vendeve të punës dhe sigurimin e mbi 1 trilion dollarëve për donatorët ndërkombëtarë, për t’u ardhur në ndihmë vendeve më të prekura nga kriza ekonomike.

Presidenti Obama tha se është i kënaqur me rezultatet e takimit të tij të parë në nivel ndërkombëtar. Ai tha se takimi ishte produktiv, dhe parashikon se do të shihet si një pikë kthese në procesin e rimëkëmbjes ekonomike globale.

"Në çdo aspekt, takimi i Londrës ishte historik. Ishte historik, për shkak të pjesëmarrjes dhe të numrit të sfidave me të cilat ndeshemi dhe për shkak të rastit të volitshëm kur u mbajt."

Duke folur për gazetarët disa orë pas takimit, Presidenti përmendi koncensusin e arritur nga vendet pjesëmarrëse, që parashtruan përparësi dhe perspektiva të ndryshme.

"Është e vështirë që 20 kryetarë shtetesh të sheshojnë mosmarrëveshjet e tyre. Ne të gjithë kemi politikat tona kombëtare, supozimet tona dhe kulturat tona politike. Por qytetarët tanë, të gjithë po vuajnë pasojat e krizës dhe të gjithë kanë nevojë që ne të bashkëpunojmë."

Presidenti nuk mori në takim një premtin konkret nga vendet e tjera për rritje të konsiderueshme të shpenzimeve të brendshme qeveritare, një mënyrë që ai e ka përdorur në SHBA për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Por në takim u ra dakord që të jepen fonde me vlerën e 1 trilion dollarëve shtesë në formën e kredive dhe të huave për vendet që po e përjetojnë më rëndë krizën ekonomike, përmes FMN-së dhe institucioneve të tjera financiare. Takimi filloi edhe procesin e vënies së sanksione ndaj vendeve që krijojnë kushte favorizuese për të pasurit që të paguajnë taksa minimale, si dhe vendosjen e disa rregullatorëve ndaj fondeve investuese për të pasurit.

Zoti Obama tha se takimi i G-20 miratoi hapa të rëndësishëm dhe të guximshëm. Ai tha se nuk ka garanci se ato do të funksionojnë, por ai theksoi se procesi i rimëkëmbjes ka filluar.

Presidenti po ashtu shfrytëzoi rastin për të reflektuar lidhur me takimet dy-palëshe që ai pati me udhëheqësit botërorë të Rusisë, Kinës, Indisë, Koresë së Jugut dhe vendit mikpritës të takimit, Britanisë.

"Natyrisht, që ne folëm në takim për hapat e tjerë që duhen ndërmarrë për nxitjen e rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike. Por ne diskutuam gjithashtu për veprime të koordinuara për një varg çështjesh, se si mund të pakësojmë kërcënimin bërthamor dhe si mund të kemi një përgjigje të koordinuar ndaj programit të raketave të Koresë së Veriut, si të mundim terrorizmin dhe të stabilizojmë Afganistanin dhe si të mbrojmë planetin tonë nga pasojat e ndryshimeve klimatike,"- tha ai.

Presidenti do të marrë sot pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s që zhvillohet në kufirin mes Francës dhe Gjermanisë, me rastin e 60-vjetorit të formimit të Aleancës.//lk






XS
SM
MD
LG