Lidhje

Presidenti Obama jep në Londër mesazhin e bashkëpunimit


Presidenti amerikan Barak Obama tha se dëshiron që në takimin ekonomik të 20-ëshes në Londër të ketë unitet mendimi dhe të arrihet një marrëveshje e re e armëve me Rusinë. Korrespondentja Paola Ufson e Zërit të Amerikës na njeh me një ditë të ngarkuar me diplomaci për zotin Obama, në fillim të udhëtimit të tij të parë jashtë vendit si President i SHBA-së.

Presidenti ishte dje në lëvizje të vazhdueshme. Në një konferencë shtypi me kryeministrin britanik Gordon Brown pas disa takimesh me udhëheqësit botërorë, para një audience, ku ishte e pranishme dhe Mbretëresha Elizabetë, Barak Obama e bëri praninë e tij të njohur në skenën botërore.

"Unë erdha këtu për të parashtruar idetë tona. Por unë erdha këtu gjithashtu për të dëgjuar dhe jo për të dhënë mësime."

Presidenti amerikan e filloi dje ditën e tij në Rrugën “Downing Street” numër 10, zyra e Kryeministrit Britanik, mes përgatitjeve të minutës së fundit për takimin ekonomik të Grupit të 20-ëshes. Ka patur shenja tensioni në prag të takimit, mes mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën më të mirë të rimëkëmbjes nga kriza eknomike botërore.

Por Presidenti Obama tha se ai mendon se do të ketë një takim të udhëheqësve për këtë çështje.

"Kam besimin e patundur se ky takim do të pasqyrojë një konsesus të jashtëzakonshëm lidhur me nevojën për të punuar bashkarisht me me një gjuhë të përbashkët në trajtimin e këtyre problemeve," - tha zoti Obama.

Kryeministri britanik Brown tha se është koha që udhëheqësit botërorë të marrin vendime të vështira.

"E vërteta është se problemet e sotme globale kërkojnë zgjidhje globale. Në takimin e kësaj jave, udhëheqësit e vendeve që përfaqësojnë 85 për qind të ekonomisë botërore po takohen së bashku; ky takim nuk mundet të bjerë thjesht dakord për një emërues të përbashkët. Por ne duhet të jemi të bashkuar të bëjmë gjithshka është e nevojshme" - tha zoti Braun.

Por bisedimet në kuadrin e takimit prekin çështje më të gjera se ekonomia.

Ndërsa u ul për takimin e tij të parë ballë për ballë me Presidentin rus Dmitri Medevdev, Presidenti Obama e ktheu fokusin tek kontrolli i armëve.

Të dy udhëheqësit bënë të njohur fillimin e një raundi të ri bisedimesh lidhur me pakësimin e armëve bërthamore me rreze të gjatë veprimi.

Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë e cilësuan tekimin një sukses historik. Zoti Obama foli për një drejtim të ri në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë.

"Ne filluam sot një dialog kontruktiv, që do të na lejojë të bashkëpunojmë për çështje të interesit reciprok, si pakësimi i armëve bërthamore dhe fuqizimi i traktateve ekzistuese të mos-përhapjes së armëve."

Presidenti Obama po ashtu pranoi një ftesë të Presidentit rus për të shkuar në Rusi në muajin korrik.

Disa orë më vonë, gjatë takimeve me Presidentin kinez Hu Gjintao, ai ra dakord të vizitojë Kinën muajt e ardhshëm.

Duke folur përmes një përkthyesi, udhëheqësi kinez shprehu shpresën për shtimin e dialogut me SHBA-në.

"Ne dëshirojmë të bashkëpunojmë me SHBA-në për arritjen e një përparimi edhe më të madh në zhvillimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Unë kam dëshirë të vendos një marrëdhënietë mirë bashkëpunimi dhe miqësie personale me Presidentin Obama," - tha ai.

Në fund të ditës, delegatë nga Grupi i 20-ëshes shkuan në Pallatin Buckingham, për një pritje tek mbretëresha Elizabeth, që ishte më tepër një takim pune, dhe pa shumë ceremoni.

Ndërkohë, nëpër rrugët e Londrës, pati demonstrata masive, disa prej të cilave ishin të dhunshme. Organizatorët i cilësuan shprehjen e pakënaqësisë popullore në ditën e 1 prillit, një protestë “Ndaj gjendjes financiare në ditën e gënjeshtrave”.//lk




XS
SM
MD
LG