Lidhje

SHBA i bën thirrje Kosovës për marrëdhënie më të mira ndëretnike


Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kaidanov, u bëri thirrje sot qytetarëve të Kosovës që të punojnë më shumë në ndërtimin e marrëdhënieve më të mira ndëretnike. Ajo i bëri këto komente gjatë vizitës në komunën e Kamenicës e banuar me popullatë të përzier, duke u bërë thirrje edhe komunave të tjera të Kosovës që të marrin shembullin e kësaj komune e cila sipas zonjës Kaidanov, ka një traditë të mirë të marrëdhënieve ndëretnike.


“Kamenica është një model për marrëdhënie të mira ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe pakicave të tjera, dhe do të doja të shihja edhe komunat e tjetra duke e ndjekur modelin e Kamenicës. Unë mund të jap vetëm përkrahjen time të fuqishme, të ambasadës sime, të qeverisë sime për këso lloj projektesh”.

Gjatë qëndrimit të saj në Kamenicë, ambasadorja amerikane vizitoi edhe një ambulancë serbe, e cila ishte dëmtuar rëndë nga zjarri si pasojë e një prishjeje në sistemin elektrik.

Ditë më parë, qeveria e Kosovës mori përsipër rinovimin e kësaj ambulance, duke nxitur reagime të ashpra të opozitës e cila e akuzoi qeverinë për siç thuhet financimin e strukturave paralele serbe. Kjo ambulancë e shfrytëzuar nga qytetarët e komunitetit serb mban edhe mbishkrimet e Republikës së Serbisë. Por, ambasadorja amerikane e mbështeti sot vendimin e qeverisë për të punuar, siç tha ajo, në të mirë të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

“Jam shumë e kënaqur që komuna ishte shumë e shpejtë në reagimin e saj për ofrimin e ndihmës për ambulancën serbe e cila ishte shkatërruar nga zjarri jo shumë kohë më parë, dhe mendoj se ky ka qenë një veprim shumë i mirë edhe nga ana e qeverisë së Kosovës, që përmes zyrës së kryeministrit Thaçi ofroi mbështetjen e plotë për këtë projekt”.

Komuna e Kamenicës është ndër komunat e pakta në Kosovë ku ekziston një bashkëjetesë më e qëndrueshme ndërmjet komuniteteve. Por, mospajtimet politike nuk e kanë tejkaluar as këtë komunë. Pjesëtarët e komunitetit serb nuk janë pajtuar me pavarësinë e vendit dhe pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës është ende në shkallë të ultë. Autoritetet vendase po u bëjnë thirrje atyre që të heqin dorë nga strukturat paralele dhe të integrohen ne jetën politike të Kosovës, ndërsa Beogradit të heqë dorë nga ndikimi mbi qytetarët serb të Kosovës. //kk//

XS
SM
MD
LG