Lidhje

Moska vlerëson takimin e presidentëve Medvedev dhe Obama


Rusia po e vlerëson takimin në Londër mes Presidentit Dmitri Medvedev dhe homologut të tij, Barak Obama, si një ngjarje “me të vërtetë të rëndësishme”, që shënon një fillim të ri të marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Rusisë, Andrei Nesterenko, tha sot se takimi i parë mes dy udhëheqësve hodhi bazat për bashkëpunim në të ardhmen për një sërë çështjesh, përfshirë pakësimin e armëve strategjike.

Zoti Nesterenko tha se tani është e mundur që të dy palët me këmbëngulje dhe vullnet të mirë politik të negociojnë një traktat të ri për pakësimin e armëve strategjike, para se t’i përfundojë afatit aktual në muajin dhjetor.

Ai tha gjithashtu se Moska është e përgatitur të bashkëpunojë me NATO-n, por përsëriti kundërshtimin e fortë të Rusisë për pranimin Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Aleancë.

Presidenti i Rusisë do ta presë Presidentin Obama kur udhëheqësi amerikan të vizitojë Moskën në muajin korrik. //kh//

XS
SM
MD
LG