Lidhje

60 vjetori i Natos



Më 3 dhe 4 prill, Aleanca e Atlantikut Verior po feston 60 vjetorin e krijimit, 60 vjet suksese për ndërtimin e një Evrope të lirë, të bashkuar dhe në paqe.

Ndërsa dikur misoni i saj ishte sigurimi brenda kufijve të Evropës, sot aleanca vlerëson se kërcënimet mund t’i vinë nga çdo skaj i botës.

Prandaj ajo jo vetëm që po riafirmon misonin e saj themelor të mbrojtjes kolektive të aleatëve të saj, por po sjell një siguri më të madhe në Afganistan dhe po vazhdon të përgatitet për kërcënimet e reja që mund të ndeshë nga ndërhyrjet kompjuterike deri tek sulmet teroriste.

Më 4 prill 1949, përfaqësuesit e 12 ish aleatëve të Luftës së Dytë Botërore u mblodhën në Uashington për të nënshkruar një pakt për mbrojtjen reciproke, Traktatin e Atlantikut Verior, në përgjegje të kërcënimeve që mendonin se u vinin nga një aleat i tyre i luftës, Bashkimi Sovjetik.

Në bazë të traktatit, anëtarët e aleancës ishin të obliguar të ruanin paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe të promovonin stabilitetin dhe mirëqënin në zonën e Atlantikut Verior, ose NATO-s, aleanca më e qendrueshme e mbrojtjes në histori.

Fillimisht NATO-ja ishte një aleancë kryesisht politike. Por në vitet 50-të, shqetësimet rreth synimeve të Bashkimit Sovjetik u shtuan dhe aleanca e NATO-s vendosi të integrojnë në strukturat e saj edhe njësi ushtarake të vendeve anëtare, duke formuar një forcë të bashkuar ushtarake.

Në dekadat që do të pasonin, NATO-ja ishte forca kryesore frenuese për ekspansionin sovjetik në Evropën Perëndimore dhe në Atlantikun Verior. Anëtarësimi i saj u zgjerua pasi më shumë vende evropiane e panë të nevojshme për t’u mbrojtur nga forca ushtarake e Bashkimit Sovjetik dhe e Traktatit të Varshavës.

Me rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe shpërndarjen e Traktatit të Varshavës, aleanca e NATO-s ruajti misionin e saj thelbësor, atë të mbrojtes kolektive, por filloi të pranonte vende nga Evropa Lindore.

Në vitet 90-të, NATO-ja u përpoq të vendoste marrëdhënie bashkëpunimi me Rusinë nëpërmjet Aktit NATO-Rusi të vitit 1997 dhe krijimit të Këshillit NATO-Rusi në vitin 2002, në përpjekje për të vazhduar forcimin e sigurimit evropiano-atlantik.

Vende më të reja anëtare të organizatës, Shqipëria dhe Kroacia, e çuan numrin e anëtarëve të saj në 28.

"Aleanca e NATO-s ka qënë themeli i sigurimit trans-atlantik gjatë 60 vjetëve të kaluar”, tha Presidenti Barak Obama, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për suksesin e saj dhe e dinë mirë se nëpërmjet bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët e tyre, ne mund të kapërcejmë sfidat më të vështira që na dalin”.//rd//

XS
SM
MD
LG