Lidhje

Strasburg: Sot fillon takimi i nivelit të lartë  në 60-vjetorin e NATO-s

  • Armand Mero
  • Strasburg

Në Strasburg mbërrijnë sot udhëheqësë të lartë botërorë për takimin e nivelit të lartë të NATO-s, që do të zhvillohet për dy ditë, i ndarë mes Gjermanisë dhe Francës. Shqipëria, zyrtarisht anëtare e Aleancës, përfaqësohet me autoritetet më të lartë të vendit, të cilët sot në mbrëmje do të marrin pjesë në darkat e punës që do të mbahen në Baden Baden. Takimi, në të cilin pritet të merren vendime të rëndësishme për vetë Aleancën, Afganistanin por dhe marrëdhëniet me Rusinë, do të jetë në trysninë e protestave anti-NATO, të cilat kanë nisur dhe kanë provokuar edhe përplasje me policinë në jug të Strasburgut.

Strasburgu ka qenë gjithnjë një udhëkryq i Europës kontinentale, por një qytet kozmopolit, ku të krishterë protestantë e katolikë jetojnë në harmoni mes tyre dhe falen në të njejtën kishë.

Kjo histori, e cila duket se ka ndikuar në përzgjedhjen edhe si kryeqyet të disa institucioneve të rëndësishme europiane, si Parlamennti europian, apo Këshilli i Europës, duket se i shkon më së miri përshtat edhe takimit të nivelit të lartë të Natos, ku fryma e mirëkuptimit dhe solidaritetit do të jetë në sfond të cështjeve që do të trajtohen: një angazhim më i madh i të gjitha palëve në sfidën më serioze për Naton, Afganistanin, apo afrimi me Rusinë pas thyerjes së fortë për rastin e Gjeorgjisë.

Me një simbolikë të qartë, edhe cereminia e mëngjesit të nesërm para hapjes së sesionit, kur të gjithë kryetarët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve anëtare do të nisen nga toka gjermane të shoqëruar kancelarja Angela Merkel, për t'u pritur në pasarelën e dy brigjeve, urën që lidh Gjermaninë e Francën, nga presidenti Francez Nikola Sarkozi.

Një shtrëngim duarsh mes dy udhëheqësve, që simbolizon paqen në Europë mes dy vendeve të cilat historia e kaluar i ka vënë shumë shpesh përballë si armiq. Franca, në këtë takim rikthehet edhe në komandën e bashkuar ushtarake të Natos pas 43 vjetësh.

Por kjo atmosferë ndodhet nën trysninë e fortë të protestave të mëdha që janë parlajmëruar, shkëndijat e të cilave kanë ndezur edhe gjatë ditës dhe mbrëmjes së djeshme përplasje mes forcave të policisë dhe përfaqësuesve të lëvizjeve pacifiste anti Nato. Një fotograf i një agjencie gjemane u plagos mbrëmë gjatë këtyre përleshjeve, ndërsa u qëllua sipas agjencisë gjermane, nga një plumb plastik.

Strasburgu është tërësisht i blinduar. Dy zona të qytetit, qendra e saj historike e monumentale si dhe vendi ku do të zhvillohet takimi, janë konsideruar zona të kuqe, ose ndryshe të sigurisë së lartë.

Një pjesë e mirë e dyqaneve dhe restoranteve, apo bareve në këtë zonë që sot do të jenë të mbyllur. Autoritetet franceze kanë paralajmëruar se ato çka ndodhën në Londër, ku u mbajt takimi i G20 janë mjaft të vogla me çka ata parashikojnë nga mijëra protestuesit që mendohet të mblidhen në kufirin mes Gjermanisë dhe Francës, mes të cilëve të paktën 5 mijë konsiderohen ekstremistë.

Takimet e udhëheqësve botërorë nisin që sot paradite, kur presidenti amerikan Barak Obama do të takohet mes presidentin francez dhe pasdite me kancelaren Merkel. Në Baden Baden një lokalitet i njohur gjerman, do të organizohen darkat e punës, të tre tilla të ndara. Një në të cilën do të jenë kryetarët e shteve dhe kryeministrat, një tjetër për ministrat e jashtëm dhe një tjetër ku do të jenë së bashku ministrat e mbrojtjes.

Në të trija Shqipëria, si një vend zyrtarsiht anëtar, do të përfaqësohet me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, si dhe ministrant e saj të jashtëm e të mbrojtjes. Delegacioni nga Shqipëria pritet të mbërrijë pas mesditës.

Në sesionin e së shtunës, ku Shqipëria do të ulet si anëtare, do të jenë rreth tryezës së Natos Presidenti dhe kryeministri. Autoritetet shqiptare kanë bërë të qartë se dëshirojnë t'i përgjigjen shqetësimeve të Natos, duke konfirmuar angazhimin e bërë publik nga kryeministri Sali Berisha gjatë takimit në Uashingtion me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Klinton, për të rritur praninë në Afganistan edhe me një tjetër kompani. Aktualisht, Shqipëria ka atje 135 ushtarakë të saj në Kabul dhe Herat.//lk

XS
SM
MD
LG